Pak interesim për librin, paralajmërohet mbyllja e disa bizneseve në shesh
Lexohet për: 3 min.
kioska-e-librit-230423
1 vit më parë
Linku u kopjua

23 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit, mirëpo këtë ditë nuk po e njeh Bajram Kastrati, njëri ndër shitësit e librave në sheshin e kryeqytetit, pasi që sipas tij, nuk ka pasur asnjë të interesuar për libër sot.

Ai thotë se qytetarëve të Kosovës iu mungon kultura e leximit, gjersa thekson se jemi i vetmi vend në botë pa një gazetë ditore.

Mendim të njëjtë patën edhe shitës të tjerë të librave. Ata theksojnë se interesimi për librat po zbehet dita-ditës. Kjo sepse leximin e ka zëvendësuar teknologjia dhe si pasojë e kësaj do detyrohen t’i mbyllin bizneset e tyre.

Nasuf Zena, shitës i librave në sheshin “Zahir Pajaziti”, thotë se leximin e librave e ka zëvendësuar teknologjia, derisa shton se është i detyruar ta mbyll këtë biznes për shkak të mosinteresimit për blerjen e librave.

“Nuk ka asnjë fluks. Interesimi për libra tek ne ka rënë jashtëzakonisht shumë dhe është për t’u çuditur se çfarë niveli dhe ku ka ardhë libri sot. Nuk lexojnë, ndoshta është një edukatë apo mundësi që u është ofruar njerëzve, se thonë jo interneti, telefoni, mirëpo internetin nuk e kemi zbuluar ne por dikush tjetër, dhe nëse do ishte për ashtu ata do t’i kishin humbur librat, por po i humbim ne. Ne këtu rrim, shesim libra por nuk e di as vet pse rrim edhe pak dhe duhet të largohemi sepse nuk ka punë, ndodhë që një ditë dy nuk shitet asnjë libër, kjo është tmerr... Zakonisht shiten librat psikologjike dhe ndonjë roman”, potencoi ai.

Edhe Mirsad Krasniqin thotë se interesimi për të blerë libra çdo ditë e më shumë po bie. Ai e ka të vështirë të tregojë edhe për zhanrin e librave më të kërkuar, pasi që nuk ka shitje.

Mirëpo të njëjtën nuk e thotë njëri nga punëtorët e librarisë “Dukagjini”, në Prishtinë, Zgjim Sherifi. Ai thekson se fluksi dhe interesimi për libra është i madh, gjersa shton se zhanret më të kërkuara janë ato nga letërsia e huaj, historia dhe libra me përmbajtje të mendimeve pozitive.

Ai shton se ka raste kur klientët kërkojnë propozimin e tyre për të bërë librin dhuratë. Sipas tij, në këtë librari nuk ka hapësirë për lexues, por që është planifikuar që të bëhet në të ardhmen.

Bardh Murtezin thotë se ka interesim për libra por ato nuk i blen por i shkarkon në formën PDF.

23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025