Pahor përsërit se dëshiron ta zëvendësojë Lajçakun
Lexohet për: 2 min.
Borut Pahor
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, përsëriti sot se dëshiron të kandidojë për postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në konferencën ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor në BE në Lubjanë, Pahor theksoi se ka më shumë besim në procesin e zgjerimit në BE sesa në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pahor paralajmëroi se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur, duke theksuar se pa vazhdimin e procesit nuk do të sigurohet një e ardhme e sigurt për të dyja vendet.

Më 10 prill, Pahor kishte deklaruar se ishte i interesuar për pozitën e Lajçak, mandati i të cilit skadon në gusht. Ai po ashtu theksoi se optimizmi për zgjerimin e BE-së është në rënie në rajon. "Në konferencë u vërejtën dallime të mëdha në pikëpamje për disa çështje thelbësore që lidhen me zonën e Ballkanit Perëndimor. Unë u befasova veçanërisht nga ndryshimi që sot ka më shumë besim në procesin e zgjerimit në BE sesa në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha themeluesi i Institutit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në konferencën për shtyp. Ai theksoi se në 20 vitet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor ka humbur besimi në procesin e zgjerimit sepse, beson ai, shumë nuk besojnë se BE-ja dhe vendet e rajonit do të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030. “Këto pengesa do të duhet të kapërcehen”, theksoi Pahor, transmeton RTV Sllovenia. Konferenca u organizua nga Instituti i Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku 28 folës nga 19 vende, përfshirë shumë diplomatë të lartë, ish-presidentë dhe kryeministra, diskutuan për zgjerimin e BE-së dhe sfidat në rajon.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025