Diskutimi publik i ditëve të fundit rreth shpenzimeve milionëshe dhe pagave të larta të lojtarëve në basketbollin e Kosovës, ka ngjallur reagime të shumta. Ndërsa disa e shohin si një zhvillim pozitiv, të tjerë ngrenë alarmin për një model të paqëndrueshëm financiar që po dëmton thelbin e sportit.
Konferenca e drejtuesve të klubit të basketbolli “Sigal Prishtina”, në të cilën u fol për paga nga 20 e 25 mijë euro për basketbollistët, ngjalli reagime të shumta duke e parë këtë si një keqmenaxhim nga kryesia e mëparshme e kësaj skuadre.
“Pagat në këtë rast të cilat janë përmendur në deklaratë, padyshim që janë shumë të larta. Mirëpo prapë po e ceki, varet se në çfarë gara, në çfarë kompeticione merr pjesë si ekip. Unë mund të flas për ekipin tim, paga kaq të larta nuk kemi, kështu që për raste të tjera nuk e di se çfarë mund të shtojnë... Nëse duam ta ngrisim basketbollin padyshim që emrat që janë pak më serioz, me CV pak më të lartë, është problem t'i bindësh edhe t'i marrësh në ekip. Këtu padyshim që ka efekt edhe paga pak më e lartë që t'i joshim edhe të vijnë tek skuadrat tona. Mirëpo, krejt këtë e përcakton buxheti total sa e ke edhe sa janë mundësitë si ekip”, theksoi Biraj.
Ish-trajneri i K.B “Prizreni”, Arbnor Rifati, vlerëson se politikat e dobëta të klubeve kanë prishur tregun e lojtarëve, duke krijuar dallime të mëdha pagash për të njëjtin basketbollist brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ai thotë se është në dijeni se si një basketbollist brenda dy viteve, në dy klube të ndryshme është paguar me pagë që ka pasur diferencë tepër të madhe.Ndërsa, ish-basketbollisti, Artan Mehmeti, thotë se në kohën kur ai ka luajtur, pagat kanë qenë shumë modeste krahasuar me pagat aktuale në basketbollin kosovar.
“Kjo situata e fundit me pagat e disa lojtareve nëpër klubet tona është bërë lajm sepse janë shifra që nuk jemi mësuar t'i dëgjojmë shpesh te ne. Por, duhet ta pranojmë një gjë: kjo rritje vjen falë Ligjit për Sponsorizim, i cili është bërë 'infuzioni' kryesor dhe është jetik për mbijetesën dhe suksesin e klubeve tona sot. Kur më pyesni për kohën time, dallimi është si nata me ditën. Ne atëherë kemi luajtur më shumë për pasion dhe pagat kanë qenë shumë më modeste se këto që po përmenden sot. Megjithatë, ne kemi qenë ata që kemi hapur rrugën që basketbolli të arrijë në këtë nivel. Por, këtu ka një problem që duhet thënë: mungesa e balancës. Është pak e vështirë dhe ndonjëherë demotivuese kur sheh që një lojtar i huaj paguhet 4-5 herë më shumë se një vendor. Dhe kjo nuk vlen vetëm për lojtarët, por edhe për trajnerët tanë, të cilët shpesh nuk vlerësohen financiarisht sa kolegët e tyre të huaj, edhe pse e njohin mentalitetin dhe e ndjejnë fanellën më shumë se kushdo tjetër”, ka thënë Mehmeti.