Osmani: Vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Osmani: Vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza
Ish-presidentja e Kosovës, bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, votoi sot në qendrën e votimit “Shkëndija” në Hajvali.
Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë në Kosovë, si dhe në krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Osmani ftoi qytetarët që të marrin pjesë në votime dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, duke theksuar se zëri i tyre është vendimtar për të ardhmen e vendit. Ajo falënderoi gjithashtu institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe mediat për angazhimin gjatë ditës së zgjedhjeve.
E pyetur nëse këto zgjedhje do të ndihmojnë në tejkalimin e bllokadave institucionale dhe zgjedhjen e presidentit, Osmani u shpreh optimiste se vota e qytetarëve do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja.
“Jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt krijimit të shpejtë të institucioneve dhe do të dalim nga krizat e njëpasnjëshme të cilat e kanë dëmtuar vendin tonë. Kam optimizëm të madh që sot vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza”, tha ajo.
Në fund, Osmani shprehu bindjen se dita e zgjedhjeve do të jetë një ditë fitoreje për Kosovën, duke theksuar se rezultatet do të reflektojnë vullnetin e qytetarëve dhe do të ndihmojnë në forcimin e vendit brenda dhe jashtë kufijve të tij.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.