Në kuadër të vizitave të komunave të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot vizitoi Komunën e Drenasit, me ç ‘rast përgëzoi atë për performancë të mirë në transparencë dhe llogaridhënie.
Osmani, pas takimit me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci tha se Drenasi është një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur.
E para e vendit theksoi përfshirjen e madhe të grave në pozitat udhëheqëse të kësaj komune, për çka tha se duhet marrë shembull.
Sipas saj, sa më shumë të ketë gra në vendimmarrje, aq më shumë do ketë perspektivë për qytetarët.
Ajo tha se do të vazhdojë të përkrahë komunat në plotësimin e nevojave të qytetarëve.
Ndërkaq, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci derisa falënderoi presidenten për vizitë tha se pavarësisht sukseseve të deritanishme, kanë shumë punë për të bërë.
Ai tha se do të vazhdojnë të jenë kampion në zbatimin e ligjit.
Gjatë vizitës në Drenas, presidentja vizitoi Parkun e Biznesit dhe shkollën "Xhevë Lladrovci", në Gllanasellë.