Ky vit pritet të jetë më sfiduesi për ngrohtoren e qytetit “Termokos”, thotë kryeshefi ekzekutiv, Fisnik Osmani. Sipas tij, këtë sezon do të shtohen rreth nëntë mijë njësi banimi në rrjetin e sistemit të ngrohjes. Ai për KosovaPress, flet edhe për pajisjet matëse të vendosura nëpër radiatorë, ku deri më tani janë 14 mijë familje, të cilat kanë përfituar nga ky projekt. Mirëpo, thekson se te disa konsumatorë kanë hasur në vështirësi për instalimin e pajisjeve të nevojshme.
Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit të Prishtinës, zotohet se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar sezonin e ngrohjes.
Ai shton se po realizohen disa projekte me qëllim të zgjerimit të rrjetit edhe në lagje të tjera të kryeqytetit.
Kryeshefi ekzekutiv i “Termokos” flet edhe për projektin e “Prishtina Heat Save”, të nisur para dy vitesh, ku konsumatorët kanë instaluar pajisjet matëse në radiatorët e tyre. Ai thotë se në disa banesa e kanë pasur të pamundur instalimin e tyre, pavarësisht lajmërimeve.
Më tej, thekson se ky projekt përfundon në janar të vitit të ardhshëm. Osmani tregon edhe për numrin e familjeve që për herë të parë do të jenë pjesë e rrjetit të ngrohjes nga “Termokos”.
“Në periudhën në të cilën ne po flasim në total diku i kemi 27 mijë e 156 konsumatorë, që është një rritje e ndjeshme gjatë kësaj periudhe. Si numër të konsumatorëve nëse e marrim në njësi banimi, diku mbi 8900 mijë njësi të banimit të reja do të futen në sistem prej kësaj periudhe, që është rritja më e madhe dhe më e ndjeshme që ka ndodhur më herët... E kemi adresuar një problem që nuk ka arritur të adresohet prej pas luftës, është qasja e banesave të bardha në sistemin e ngrohjes. Po flasim për diku 106 mijë metra kator, 29 njësi të banimit, pra banesa kolektive përfshirë edhe shkollën Iliria e cila është ngjitur me banesat e bardha. Projektin e kemi detajuar, është një projekt që do të ketë kosto të ndjeshme për Termokosin”, vijon ai në intervistën për KosovaPress.