Është mbajtur mesha e lamtumirës për kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi fetare dhe shoqërore në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kanë nderuar figurën e tij.
Kryeministri Rama tha se vepra e Anastasit në krye të Kishës Authoqefale, është e nderuar dhe admiruar.
“Kryepeshkopi Anastas e përfundoi detyrën e tij në shërbim të shpresëtarëve ortodoksë. Jeta e tij fort kuptimplotë. 33 vite janë shifër tejet domethënëse, ringriti ngrehinën e shkrumbuar të kishës autoqefale të Shqipërisë. Jeta e Anastasit ishte një jetë tërësisht e përmbushur përderisa përmes saj u realizua ëndrra e një fëmije. Personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të kishës janë qëmtuar, janë admiruar, bekuar e qortuar e deri dhe janë anatemuar. Deshi apo s’deshi mori mbi supe edhe zjarret fëmijërore të fqinjësisë sonë, Dëshmon për stoicizmin e bariut, në një kohë e botë që të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era. Përtej zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër andej e këtej kufirit të rihapur e të shuar si një hallkë në oborrin e përbashkët e përtej dyshimeve të lagjes ballkanike, asnjëherë se vë në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të kryepeshkopit”, deklaroi Rama.“Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Ai ndërtoi kisha, krijoi institucione arsimore dhe shëndetësore dhe i shërbeu me përulësi njerëzve. Largimi i tij lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm,” u shpreh Mitsotakis.
Kryepeshkopi Anastas do të mbahet mend si një figurë e jashtëzakonshme e Ortodoksisë, një lider shpirtëror dhe një promotor i bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes popujve.