Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën "Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen".
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar që fjalët “gratë” dhe “vajzat” të jenë sinonim i ngadhënjimit dhe suksesit. Ajo ka përmendur edhe rastet e dhunës në familje dhe papunësinë e lartë.
E shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se organizimi i përbashkët institucional është e vetmja alternativë. Sipas tij, barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore.
"Gratë e bëjnë aktivizimin e dyfishtë. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, po ato punojnë gjithashtu për gratë. Krijimi i mundësive të barabarta është prioritet i yni në programin për barazi gjinore. Brenda këtij viti, kemi ndarë shtesat për 142 mijë fëmijë të porsalindur. Po punojmë që fëmijët e vegjël të rriten me vlera të përfshirjes dhe barazisë", ka thënë Kurti.
E, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia tha se gratë dhe vajzat vazhdojnë të ballafaqohen me paragjykime të ndryshme.
"Dhunimet seksuale ndaj grave ukrainase janë duke ndodhur. Lutemi dhe shpresojmë që lufta në Ukrainë të ndalet sa më parë. Ne besojmë që ka mundësi për paqe mes njerëzve", tha ajo.