Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka uruar Belgjikës një presidencë të suksesshme të Këshillit të Bashkimit Evropian, duke thënë se presin të punojnë ngushtë me partnerët belgë në muajt e ardhshëm për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës në BE.
Përndryshe, Belgjika nga sot ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian.
Kryesimi belg ndodh në kohën kur do të mbahen zgjedhjet evropiane, mes datave 6-9 qershor.
Qeveria belge ka premtuar se do të ketë kapacitete të duhura dhe fokusin e mjaftueshëm për ta kryer detyrën e kryesuesit të radhës me sukses, por nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund 2022 kur kryesimin e kishte Republika Çeke.
“Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në dokument.
Gjatë kryesimit të Belgjikës, më 1 maj 2024, do të shënohet 20-vjetori i zgjerimit më të madh të BE-së. Belgjika do të merret edhe me definimin e një agjende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë një vend të rëndësishëm. Kjo “agjendë strategjike” do ta vendosë bazën për veprimin e BE-së 2024-2029.