Osmani takoi Escobar: Zbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi të jetë i plotë
Lexohet për: 2 min.
1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Mal të Zi, pasi që mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij shteti, Jakov Milatoviq, ka zhvilluar në Podgoricë një takim me të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas një komunikate të Presidencës, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, me fokus të veçantë për zbatimin  e marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përbën palë konstruktive dhe ka potencuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes.

Presidentja Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe garancën e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024