Osmani: Sllovenia aleate e palëkundur e Kosovës euroatlantike
Lexohet për: 2 min.
1
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiç, me të cilën ka biseduar mbi raportet ndërmjet të dy vendeve dhe avancimin e tyre të mëtejshëm.

Gjatë takimit, presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e palëkundur në rrugën për liri, pavarësi dhe shtet-ndërtim, duke thënë se Sllovenia është mike dhe aleate e fuqishme e Kosovës.

"Sllovenia dhe Kosova kanë një lidhje të fortë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për t’i adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të shfrytëzuar mundësitë e shumta për bashkëpunim. Përmes bashkëpunimit, ne mund t`i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta dhe të kontribuojmë në ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë dhe përtej”, ka theksuar Osmani.

Ajo shtoi se Kosova është shembull pozitiv në rajon me progresin në fushën e sundimit të ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencën, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Osmani theksoi se Kosova në politikën e saj të jashtme synon forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, me ç’rast potencoi edhe rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare, duke shtuar  nevojën e vazhdimit të mbështetjes sllovene për anëtarësim në BE e NATO.

Në takim u diskutua edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar të grupeve të miqësisë, shkëmbimit reciprok të përvojave, si dhe thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, teknologji informative etj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024