Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se Serbia vazhdon të mbetet kërcërnimi më serioz dhe kryesor ndaj sigurisë së Kosovës. Ajo ka shtuar se ky shtet fqinj po vepron kundër integrimit të vendit në institucione ndërkombëtare. Sipas saj, Serbia përmes metodave të luftës hibride po synon ngritjen e tensioneve në veri të vendit. Kështu ka deklaruar ajo në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën "15 vite të mbikëqyrjes të sektorit publik të sigurisë".
Presidentja e ka deklaruar se Serbia vazhdon të paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e gjithë rajonit duke shtuar edhe kapacitetet ushtarake.
Sipas saj, prania e NATO-s është faktori kyç në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale.
Në tryezën e organizuar nga QKSS, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se mjedisi i sigurisë në vend varet nga ai global.
Derisa ka folur për ngritjen e kapaciteteve, presidentja Osmani ka përmendur edhe stërvitjen më të madhe të NATO-së, "Defender Europe", që do të organizohet në muajin e ardhshëm.
Ajo është shprehur se si komandante supreme së bashku me institucionet tjera të sigurisë kanë miratuar strategjinë e sigurisë.