Osmani për Vuçiqin: S’duhet të befasohemi nga gjuha e ministrit të Millosheviqit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është deklaruar edhe lidhur me deklarimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili kryeministrin kosovar dhe presidentin e Malit të Zi, i quajti ‘’miza’’.
Ajo pas takimit me kryetarin e Mitrovicës Bedri Hamza, ka thënë se Vuçiq po vazhdon me mentalitetin e regjimit të kriminelit Sllobodan Millosheviq, ministër i të cilit ishte gjatë kohës së luftës në ish-Jugosllavi.
“Ne nuk duhet të befasohemi nga gjuha e ministrit të Millosheviqit. Aleksandër Vuçiq ka qenë ministër i propagandës gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, të shkaktuara nga ish-shefat e tij. Dhe për fat të keq edhe tani në vitin 2022 po e dëshmon logjikën e njëjtë të shekullit të kaluar. Akoma nuk e ka dënuar asnjë nga krimet e regjimit të Millosheviqit, përkundrazi vazhdon ta glorifikojë Millosheviq-in dhe ta shfajësojë për krimet e kryera në Kosovë. Akoma nuk i ka vendosur para drejtësisë kryerësit e krimeve dhe masakrave të shumta, përfshirë gjenocidin ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës. Një njeri që e vazhdon mendësinë e Millosheviqit, ne nuk mund të presim të flasë me gjuhë të argumentuar”, ka thënë ajo.
Po ashtu, ajo tha se përkundër fjalëve se e kanë zgjedhur rrugën evropiane, të njëjtit janë në rrugën e presidentit rus Vladimir Putin-it, aleat i të cilit është Serbia.
Ndërkohë, që njoftoi se ka kërkuar nga autoritetet kosovare për të marrë informacione në lidhje me rastin e ish-senatorit zviceran Dick Marty, i cili ka pohuar se ndaj tij po përgatitet atentat nga shërbimi serb.
“Në ditën e parë që është bërë publike, kam kontaktuar me autoritetet në institucionet e sigurisë në Kosovë dhe kam kërkuar që ato nëpërmjet rrugëve zyrtare të bien menjëherë në kontakt me autoritetet zvicerane të sigurisë dhe të marrin informatat zvicerane. Në momentin që këto informata na dërgohen me shkrim, do të shohim se cilat do të jenë hapat e drejtpërdrejt që do të ndërmarrim. Por ne nuk duhet të harrojmë që kjo është një taktikë që Serbia e ka përdorur vazhdimisht përgjatë historisë së saj. Pra, ka kryer krime për të cilat ka dashur t’i fajësojë shqiptarët”, ka përfunduar Osmani.
Më tej, ajo shtoi se institucionet në vend po bëjnë përpjekje që shumë shpejt të dorëzohet aplikacioni për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ditë më parë, televizioni publik zviceran ka raportuar se ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur që 16 muaj nga policia zvicerane, pas kërcënimeve për vrasje nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb.