Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë.
Në këtë tryezë ekonomike me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit dhe bizneseve anëtare katariane, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama edhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova, u diskutua për mundësitë e shumta për parnteritete biznesore dhe investime në sektorë strategjik.Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë.
Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për parneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.
Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Ëeb Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha.