Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në vizitë pune presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Në takim me homologun e saj, sipas njoftimit të zyrës së presidencës thuhet se Osmani rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut.
Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.
Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian.
Sipas Osmanit, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj ajo thekson se meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Presidentja Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese.
Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, përfshirja e Kosovës në PfP, e më pas në NATO ka një rëndësi strategjike dhe gjithashtu është garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
Të dy liderët pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.