Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht dhe në secilin cep të territorit të vendit. E para e shtetit në adresimin e saj para Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Kosova nuk do të thyhet nga qëllimet hegjemoniste të Serbisë për aneksimin e veriut. Osmani theksoi se agresioni i Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë, dëshmon se politika e sotshme e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është politika e djeshme e ish kasapit të Ballkanit, Millosheviq. Megjithëse dy partitë opozitare PDK dhe AAK, e bojkotuan fjalimin e Osmanit, ajo tha se nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, por duhet të ketë unitet pa dallim.
Osmani para deputetëve të mazhorancës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmendi edhe sfidat në dialogun me Serbinë, ku kërkoi balancim më të madh nga ndërmjetësuesit e dialogut dhe heqje të masave ndaj Kosovës. Përkitazi me këtë, presidentja Osmani nënvizoi se draftstatuti i Asociacionit, që i është dorëzuar Kosovës nga euro-amerikanët, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Në seancën ku të pranishëm ishin edhe kori diplomatik në Kosovë, Osmani kritikoi Bashkimin Evropian për qasje të njëanshme në dialog.
Në anën tjetër, Osmani bëri thirrje që për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të gjithë, pa dallime partiake, të bashkohen për ta formuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e jo të jetë me kompetenca ekzekutive.
Duke folur për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, Osmani tha se anëtarësimi në NATO duhet të jetë prioritet numër një i vendit.
Po ashtu, Osmani bëri thirrje për unifikim i shqiptarëve në politikën e jashtme dhe koordinim më të madh me Shqipërinë./KosovaPress/