Osmani: Kuraja e të mbijetuarave të luftës, dritare shprese për brezat e rinj
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjurmët e krimeve të dhunës seksuale nga policia dhe ushtria serbe vazhdojnë të rëndojnë jetën e qytetarëve tanë edhe sot gati 25 vjet pas luftës në Kosovë. Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë, të cilën e mbajti në lidhje me Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që nis punimet nesër në Prishtinë, si dhe me rastin e shënimit të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. E para e vendit tonë ka thënë se drejtësia ndaj grave të dhunuara nga ushtria serbe gjatë luftës, nuk do të jetë e plotë përderisa kriminelët nuk ballafaqohen me drejtësinë për veprat e tyre të kryera.

Në këtë konferencë nuk mungoi as rrëfimi i njërës nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi- Goodman, e cila me lot në sy përshkroi tmerrin e përjetuar para 25 vjetëve. Ndërsa, Shyhrete Tabiri Sulejmani, e mbijetuara tjetër e dhunës seksuale, la një mesazh për të gjithë qytetarët, duke thënë që të dëgjojnë të mbijetuarit e luftës dhe të përhapin të vërtetën e tyre duke i mbështetur që të luftojnë paragjykimet.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk dihet, por sipas të dhënave nga 21 nëntori 2023, vetëm 1986 persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ku prej tyre statusi u është aprovuar 1.606 personave dhe 46 janë në proces të trajtimit. Verifikimi i dëshmive të personave që duan ta marrin këtë status, i cili vlen për periudhën 27 shkurt 1998 - 20 qershor 1999, bëhet nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Sipas këtij komisioni, afati për aplikim për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është deri më 15 maj 2025. /A.Shala/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024