Nisma rajonale Ballkani i Hapur nuk e respekton parimin e përfshirjes dhe nuk i trajton të gjitha vendet në mënyrë të barabartë, ka vlerësuar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Në një intervistë për agjencinë MINA, Osmani ka thënë se në Kosovë iniciativën e kanë analizuar nga ana politike, por edhe nga ajo profesionale (eksperte).
Ajo vlerësoi se me iniciativën Ballkani i Hapur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të zgjerojë qasjen e tij hegjemoniste në të gjithë rajonin dhe ta trajtojë Kosovën si një partner të pabarabartë, duke mos e njohur pavarësinë e saj.
Sipas presidentes Osmani, dallimi i madh në mes të Ballkanit të Hapur dhe nismave të tjera është se iniciativat e tjera, por edhe krijuesit e tyre, i trajtojnë të gjitha shtetet si të barabarta.
Ajo tha se pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të ketë Evropë të lirë, të bashkuar dhe paqësore dhe sigurisht që nuk mund të ketë siguri në kontinentin evropian.
“Prandaj, ne ishim shumë të qartë për këtë. Ne i respektojmë vendet e tjera, por në të njëjtën kohë dëshirojmë që të respektohet qëndrimi ynë, sepse është një qëndrim që është shqyrtuar përmes vlerësimeve shumë serioze të të gjithë faktorëve të nevojshëm”, tha Osmani.
“Prandaj, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor morën pjesë në krijimin e këtyre nismave, për dallim nga Ballkani i Hapur, i cili nuk është gjithëpërfshirës dhe që nuk na trajton në mënyrë të barabartë”, tha Osmani.
E pyetur se si e sheh problemin e demarkacionit të Malit të Zi dhe Kosovës, ajo tha se definitivisht nuk bëhet fjalë për ndonjë problem.
Sipas saj, kjo nuk është më temë për politikanët.
Osmani kujtoi se Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen në Kuvend shumë vite më parë dhe se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar tre dokumente, gjegjësisht vetë Marrëveshjen, deklaratat e presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi dhe i treti, që është produkt i punës së komisionit.
“Pra, është komisioni teknik dhe ekspertët ata që duhet ta marrin përsipër punën dhe tani ekspertët duhet të përcaktojnë hapat e ardhshëm, në vend që politikanët të bëjnë deklarata që mund të dëmtojnë vetëm progresin”, tha Osmani.
Duke komentuar luftën në Ukrainë, ajo tha se që nga 24 shkurti është rrezikuar e gjithë arkitektura e sigurisë në kontinentin evropian.
“Njëkohësisht, Rusia po përpiqet të minojë bashkëpunimin dhe arritjet transatlantike në këtë pjesë të rajonit. Tashmë, përballë një agresioni të tillë, duhet të jemi të bashkuar jo vetëm në fjalë dhe deklarata, por edhe në veprim të përbashkët”, tha Osmani.
Ajo tha se tani për tani të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë zgjedhur të jenë në anën e Ukrainës.
Ajo tha se Bashkimi Evropian duhet t'i dërgojë një mesazh shumë të qartë Serbisë se nëse vazhdon në atë rrugë, negociatat e anëtarësimit do të pezullohen.
Osmani theksoi se anëtarësimi në BE dhe NATO është rruga e vetme përpara për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo kujtoi se disa vende të rajonit tashmë janë në NATO, përfshirë Malin e Zi, i cili, shtoi ajo, ka kontribuar në sigurinë më të madhe në rajon.
Sipas Osmanit, është koha që Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës t'i ofrohet një rrugë e qartë dhe e përshpejtuar drejt NATO-s.
Siç theksoj ajo, Kosova ka formuar një grup punues ndërinstitucional, i cili i kalon nëpër të gjitha kriteret e aplikimit dhe procedurat, për të përcaktuar kohën më të mirë për të aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në NATO.
“Kur ai grup të përfundojë punën e tij, ne do të mund të dalim me datën e saktë”, tha Osmani.
“Aktualisht jemi duke u përballur me një situatë mjaft absurde, pasi Partneriteti për Paqe përfshin vende si Bjellorusia e Lukashenkos, si dhe Serbia, vende anti-NATO që as nuk po tentojnë ti bashkëngjiten aleancës”, tha Osmani.
E pyetur se çfarë reagimi pret nga Beogradi zyrtar kur Kosova të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në NATO, ajo tha se ata kurrë nuk do ta kishin shpallur pavarësinë, po të kishin shikuar reagimet e Serbisë.
Ajo tha se anëtarësimi i Kosovës në ato organizata nuk paraqet vetëm veprime politike, duke shtuar se qytetarët kanë përfitimin përfundimtar.
“Pasi Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, qytetarët tanë më në fund do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pra, në fund të fundit kjo është çështje e të drejtave të njeriut”, ka thënë Osmani.
Gjithashtu, t'i thuash "Jo" anëtarësimit në organizata si Interpoli do të thotë "Jo" për luftën kundër krimit ndërkufitar. Nëse shteti e përkrah luftën kundër krimit ndërkufitar, atëherë duhet ta përkrahë pjesëmarrjen e Kosovës në ato mekanizma”, tha Osmani.
Ajo tha se kjo vlen edhe për organizatat tjera ndërkombëtare, duke shtuar se kur Kosova të jetë e gatshme të aplikojë për anëtarësim në NATO, reagimi i Serbisë është padyshim diçka për t'u kushtuar vëmendje.