Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, si dhe për bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve mike.
Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani, sikurse në samitet e kaluara, do ta përfaqësojë Kosovën. Në këtë drejtim, presidentja dhe ambasadori diskutuan për temat që do të trajtohen në këtë Samit, si dhe për kontributin e Kosovës në këto tema.
Në veçanti, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve britanikë në fushën e mbrojtjes, dhe tha se si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ndihet krenare për arritjet e vazhdueshme të FSK-së në akademitë më prestigjioze ushtarake në Britani të Madhe.
Ndryshe, Samiti i Komunitetit Politik Evropian mbahet në Blenheim Palace në Britani të Madhe në korrik.