Osmani: Gratë mund të jenë të suksesshme në udhëheqje të shtetit
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kudo që ka udhëheqje gjithëpërfshirëse, aty ka përparim, mirëqenie dhe demokracia lulëzon në mënyrën më të mirë. Dita ditës kuptojmë se mund të kemi sukses të grantuar qoftë në udhëheqjen e shtetit, të një kompanie apo në organizmin në komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente, përfshihen, kanë rol aktiv, u dëgjohet zëri dhe marrin vendime në një platformë të barabartë.

Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”, derisa potencoi se rikthimi në javën e gruas gjithnjë është sikur të kthehesh në shtëpi. Osmani theksoi se sfidat e grave janë të mëdha dhe komplekse, porse duhet angazhuar në ndërtimin e një shoqërie e cila vlerëson dhe e shfrytëzon plotësisht kontributin e secilit individ, përfshirë gratë.

Ndër të tjera, Osmani tha se më përjashtimin e grave dhe vajzave nga vendimmarrja dhe gjithëpërfshirja, komunitete të tëra dështojnë.

Ndërkaq, zëvendës udhëheqësja e Misionit dhe Konsulle në Ambasadën e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, Nathalie Niedoba tha se me largimin e diskriminimit, gratë mund të kenë qasje, të jenë të gjithmbarshme dhe pozitive në familjet e tyre.

Niedoba theksoi se vizioni i Kandasë është një botë ku të gjitha gratë dhe vajzat janë të fuqizuara, kanë kontrollë mbi jetën e tyre, të jetojnë të lira nga dhuna dhe të marrin pjesë në vendimmarrje në shoqëritë e tyre.

Ajo shtoi se kryeministri i Kanadasë ka paralajmëruar disa miliarda dollarë për të promovuar të drejtat e grave, fëmijëve dhe adoleshentëve.

Ndërsa, drejtoresha e programit në Institutin Demokratik Kombëtar, Pranvera Lipovica tha se duke ndërtuar mbi parimet themelore të demokracisë me temën kryesore “Udhëheqje dhe gjithëpërfshirje, ndërthurja e politikës me ekonominë”, përmes adresimeve dhe sesioneve të planifikuara synojnë një diskutim të frytshëm që qëndron gjininë dhe reflekton mbi përvojat unike të jetuara të grave.

Ajo potencoi se përfshirja e grave dhe komuniteteve të nënpërfaqesuara në proceset vendimmarrëse rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve publike.

Lipovica tha se “Java e Gruas” mbetet një platformë e veçantë me shumë rëndësi për dialog me temat që prioritet kanë individët dhe grupet e ndryshme të shoqërisë të cilën e kanë parë të konceptohet, zhvillohet dhe marrë formën që ka sot, përgjatë këtyre 12 viteve.

Instituti Demokratik Kombëtar ka mbajtur edhe dje (e martë) konferencë me rastin e “Javës së Gruas 2024”./Z. Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024