Osmani: Kërcënimet ndaj lirisë, tashmë janë realitet
Lexohet për: 4 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se anëtarësimi në NATO mbetet objektivi strategjik i shtetit e që kjo tani është më i domosdoshëm se kurrë dhe parakusht për paqe në rajon. Kështu u shpreh ajo gjatë fjalimit që pati në ceremoninë shtetërore të shënimit të 24-vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Me këtë rast Osmani tha se marsi i vitit 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të popullit të lirisë, ku për tre ditë të epopesë familja Jashari bashkë me bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët u heroizuan e si heronj të kombit do të mbetën për sa të jetë Kosova.

E para e shtetit ka përmendur krimet që bëri Serbia në Kosovë e për çka thotë se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe se pa drejtësi nuk ka kuptim liria.

“Me 5,6, 7 mars të vitit 1998 rezistenca e familjes Jashari ishte thirrje për mobilizim të të gjithë popullit për t’i dhënë fund robërisë, për ta kthyer dinjitetin në vend dhe për ta dërguar  mesazhin se liria nuk ka çmim. Duke refuzuar nënshtrimin komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjarët e tjerë dhe bashkëfshatarë ranë heroikisht në mbrojtje të atdheut. Ky sakrifikim i familjes Jashari me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë u bë guri themeltar i lirisë së shtetit tonë. Kjo familje është portreti i lirisë sonë e cila ishte e zorshme për tu arritur, për të cilën u deshtë shumë mund, për të cilën ranë edhe 3 mijë dëshmorë të UÇK 13 mijë civilë u dhunuan afër 20 mijë gra e burra dhe të zhdukur me dhunë janë ende mbi 1 mijë e 600 persona, por ende nuk ka drejtësi për asnjërin nga ta. Prandaj duhet edhe të vendoset drejtësia edhe për të pasur kuptim liria jonë, edhe për të nxjerrë mësime nga historia. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi”, tha Osmani.

E kërcënimet ndaj lirisë Osmani thotë se tashmë janë realitet i cili po përjetohet akoma e që hegjemonia po shihet në kontinentin tonë. Ajo teksa foli për domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës na NATO u shpreh edhe se sot si asnjëherë më parë duhet të rritet përkushtimi për ushtrinë e Kosovës.

“Kërcënimet ndaj lirisë, tashmë janë realitet, të cilin ne akoma po e përjetojmë. Hegjemonia po shihet akoma në kontinentin tonë, pra në Evropë[...]Nuk duhet të heqim dorë asnjëherë nga përpjekja jonë që shtetin ta mbajmë stabil, e t`i dalim zot kudo, e kurdo. Sot, sikurse asnjëherë më parë, ne duhet ta rrisim përkushtimin për ushtrinë tonë. Prandaj, themelimi i Fondit të Sigurisë nga ana e Qeverisë është dëshmi se ne duam ta forcojmë ushtrinë tonë[...]Kjo është ushtria jonë e ndërtuar me shumë sakrifica… Prandaj, besoj fuqishëm se do ta arrijmë këtë me përkushtimin, kurajën dhe guximin e vajzave dhe djemve të Forcës, e cila po rritet çdo ditë e më shumë së bashku me kapacitet tona.   Ushtria jonë në këtë proces po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, e them sërish siç e kemi thënë në këto 14 vite, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, ndaj anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike tani është më i domosdoshëm se kurrë dhe është parakusht për paqe në rajon”, u shpreh Osmani.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bosmani-anetaresimi-ne-nato-mbetet-objektiv-strategjik-i-shtetit-tone/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024