Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend. Presidentja Osmani potencoi shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, përmes ndalimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonat kufitare dhe trajtimit të papranueshëm të tyre, si dhe arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për përgatitjet që po bëhen për mbarëvajtjen e procesit të votimit që do të mbahet këtë fundjavë në veri të vendit”, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, Ambasadori Hovenier e ka përgëzuar Presidenten Osmani për një edicion të suksesshëm të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vlerësuar përkushtimin e saj dhe të Kosovës për ta avancuar këtë agjendë në vend, si dhe në rrafshin ndërkombëtar.