Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar të sqarohet lidhur me deklaratat e saj mbi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend para deputetëve dhe qytetarëve.
“Kur unë kam propozuar që drafti i Asociacionit të diskutohet me SHBA që kjo të mos i lihet në dorë Lajçakut e të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë kam kërkuar themelim të Asociacionit. Por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetes dhe SHBA-së sesa disa burokratëve nga shtete mosnjohëse”, ka thënë ajo.
“Ajo çfarë kam thënë është që nën një, zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe nën dy, si alternativë, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes - gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan - atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë, si dhe mbështetje për njohje të reja", tha ajo.
Për të, "më shumë sesa nënshkrimi i presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i presidentit të Amerikës".Osmani shtoi se “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”.
Sipas saj, me aleatët do të duhej të diskutohej zbatimi vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO dhe organizata ndërkombëtare.