Organizata “Shqiptaria” me letër për institucionet e vendit, ja çka u kërkon
Lexohet për: 3 min.
Qeveria-e-Kosoves-Flamuri-2-560x404-1-1
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Organizata për Kultivimin e Traditave Kulturore “Shqiptaria” u ka dërguar një letër institucioneve të vendit dhe mediave përmes së cilës ka kërkuar reagim lidhur me rrymat fetare që sipas kësaj organizate janë futur në Kosovë nga periudha e pasluftës.

Kjo organizatë konsideron që shumë organizata ndërkombëtare nën petkun e ndihmës për popullin e Kosovës iu imponuan shtetit të ri të Kosovës duke promovuar aspekte fetare të panjohura për nga përmbajtja dhe metodika për Kosovën, ku foksu kishin të rinjtë.

“Tani u futën rryma me interpretim më ndryshe të fesë lslame me theks të përforcimit të përdorimit të gjuhës arabe, veshjes, dukjes së jashtme, kulturës dhe traditës e cila ishte në kundërshtim me Islamin e paraluftës në Kosovë. Ndikimi i këtyre rrymave u rrit me joshjen e njerëzve me :“ndihma humanitare” dhe financiare nga burime të pakontrolluara nga shteti i Kosovës në administrimin e UNMlK-ut në atë kohë. Rryma vehabiste u përhap me të shpejtë e mbështetur edhe nga BIK ndonëse jo zyrtarisht”, thuhet në letrën e organizatës “Shqiptaria”.

Duke iu referuar të dhënave të Qeverisë së Kosovës, kjo organizatë thotë se që nga viti 2012 e deri në 2015, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300, ku rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Për Organizatën ”Shqiptaria” është shqetësues fakti që krahasuar me numrin e popullsisë numri i pjesëmarrësve në luftërat e lartcekura është më i madhi në rajon për kokë banori.

E, si rezultat i këtyre dukurive në islam Organizata “Shqiptaria” kërkon që institucionet e shtetit të mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës.

Kjo organizatë kërkon të hetohen të gjithë ata imam dhe praktikues të fesë cilado qoftë ajo fe e cila përdorë fjalor urrejtës dhe përhap mosdurim fetar.

“Konsiderojmë që shteti ka për obligim që të mbrojë fëmijët deri në moshën madhore nga ndikime të këtilla dashakeqe duke ua ndaluar klerikëve fetarë që të merren me ta përderisa ende nuk është arritur që të ketë mbikëqyrje dhe përkujdesje të qartë ligjore në veprimtarinë e klerit fetarë”, thuhet më tutje në letër.

Organizata vlerëson se ligjet dhe rregulloret në fuqi janë tejet të mangëta dhe të padefinuara, prandaj sipas tyre kjo mangësi u lë hapësirë rrymave të ndryshme ekstremiste fetare që të keqpërdorin fëmijët por edhe të rriturit e pa informuar për maskimin e qëllimeve të huaja politike e të sigurisë në dëm të kombit dhe shtetit përmes interpretimeve dhe ligjërimeve dashakeqe të disa imamëve.

Letra i është dërguar Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Arsimit dhe mediave.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024