Organizata gjermane Education Unlimited mban Kampin Veror 2022 për herë të parë në Kosovë
Lexohet për: 8 min.
kampi-veror-180922
2 vite më parë
Linku u kopjua

Për herë të parë organizohet në Kosovë kampi veror për fëmijë, në të cilën do të marrin pjesë rreth 100 pjesëmarrës nga pesë vende të ndryshme të botës, siç janë Gjermania, Franca, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, i cili do të zgjasë një javë.

Qëllimi i këtij kampi është t'i bashkojë të rinjtë me njëri tjetrin, ndikimi kulturor,  me qëllim që të zhduken paragjykimet, të cilat ekzistojnë ndërmjet popujve.

Kerstin Zielosko, kryetare e organizatës gjermane Education Unlimited është shprehur e lumtur që kampi po mbahet në Kosovë.

Ajo tha se njëra prej moduleve që do të mbahet në kuadër të kampit ka të bëjë me atë se si ta ndërtojmë Evropën.

“Në tërësi janë rreth 100 pjesëmarrës në kampin veror që fillon nesër në Prizren. Ndërsa sa i përket qëllimit, organizimit të këtij kampi, qëllimi është t'i bashkojmë të rinjtë me njëri-tjetrin, paragjykimet të cilat ekzistojnë ndërmjet popujve, kulturave, t'i zhdukim. Njëri prej moduleve, i cili do të mbahet në kuadër te kampit, ka të bëjë me atë se si ta ndërtojmë Evropën, në kuptimin jo të BE-së, por ne të gjithë popujt që jemi pjesë e Evropës, e cila është bashkëjetesa jonë, si duhet ta ndërtojmë demokracinë, si duhet ta njohim njëri-tjetrin dhe të mësojmë prej përvojave të njëri-tjetrit”, tha ajo.

Sipas Zielosko, një veçanti e këtij kampi është pasi pjesëmarrëse do të jetë edhe Susanne Eisenmann ish-ministre e Arsimit nga Baden-Württemberg, e cila do të tregojë përvojat e tyre politike dhe shkëmbimin që e kanë me politikën kosovare, por edhe për vajzat që ta shprehin karakterin e tyre dhe guximin e tyre. Ndërsa ka treguar edhe temat të cilat do të diskutohen.

“E veçanta e këtij kampi është që është pikërisht llojllojshmëria, pluraliteti i temave të cilat do të diskutohen, duke filluar prej demokracisë, Evropës, bashkëjetesës, sportit, mediat si pjesë shumë e rëndësishme e përditshmërisë tonë, ajo se çka bëjmë ne me mediat dhe çka bëjnë mediat me neve, që është shume e rëndësishme, sidomos për të rinjtë kudo që janë, por edhe politikës”, tha ajo.

Po ashtu ajo tha se ky projekt është një iniciativë e katër grave të fuqishme, të cilat në formë indirekte po trajtojnë temat për çështjet e barazisë gjinore.

Susanne Eisenmann ish-ministre e Arsimit nga Baden-Württemberg tha se një aktivitet tjetër në këtë kamp është edhe vizita në qytete të tjera. Sipas saj me këtë rast, nxënësit do ta kenë mundësinë përveç vizitës, të shohin edhe se çfarë i karakterizon ato vende e po ashtu edhe biseda me nxënës të tjerë.

“Kjo nuk është një shkollë verore për fëmijët, do të kemi edhe referentë dhe ata do të mësojnë prej neve, por ne si mësimdhënës do të ju ndihmojmë nxënësve që ata vetë ta krijojnë këtë javën e tyre. Një nga aktivitetet është vizita në pika të ndryshme të qytetit. Aty janë përgatitur pyetjet, të cilat ata pastaj duhet t'i gjejnë ato përgjigje se çka i karakterizon ato vende. Ata janë për mësim, por edhe për të vizituar qytete dhe të kenë kënaqësi edhe me vendin, por edhe me nxënësit e tjerë”, tha Eisenmann.

Eisenmann tha se në Kosovë për kampin veror ka ardhur me një grup të nxënësve nga Gjermania, derisa është shprehur e bindur se këta nxënës do të lidhin shoqëri me nxënësit kosovarë.

“E veçanta është se sot kam ardhur me një grup të nxënësve, të cilët për herë të parë edhe kanë fluturuar, por edhe të tillë që po vinë për herë të parë në Kosovë dhe ata kanë qenë shumë të emocionuar që do të takohen me nxënës të tjerë të vendeve të tjera dhe jam shumë e bindur që do të lidhin shoqëri ndërmjet këtyre nxënësve. Gjithmonë kur takohesh me njerëz, i çmon edhe kulturat e tyre më shumë”, tha ajo.

Kerstin Zielosko, kryetare e organizatës gjermane, Education Unlimited ka shtuar se edhe boksieri kosovar, Luan Krasniqi, është pjesëtar nderi i kësaj organizate, i cili bashkëpunon me vite, me qëllim t’i ofrojë kushte më të mira nxënësve të Kosovës.

Zielosko tha se Krasniqi do të jetë i pranishëm me të vetmen arsyeje për t’u treguar nxënësve nga afër arritjet e tij.

Më tej, ajo tha se Eisenmann dhe Krasniqi, janë shembujt më të mirë për të ndjekur, njëra në politikë e tjetri në sport.

“Të rinjtë gjithmonë duhet të kenë një shembull për ta ndjekur dhe unë i kam pasur ata. Dhe natyrisht se Eisenmann dhe Krasniqi, janë dy prej njerëzve të cilët do të duhej të ishin shembuj për t’u ndjekur. Secili në mënyrën e vet se si ka arritur deri te suksesi, Eisenmann në politikë dhe Krasniqi në sport, por të cilët do të jenë një shembull i mirë për të rinjtë se si arrihet deri te suksesi”, tha Zielosko.

Milote Sadiku, profesoreshë e gjuhës gjermane në UP e cila do të jetë e pranishme në kamp, tha se bashkë me profesoreshën e Universitetit të Prishtinës, Remzie Shahini-Hoxhaj kanë organizuar një work-shop në kamp, për të biseduar për gjuhën dhe rëndësinë e saj.  Sadiku tha se përveç këtij kampit ekziston një bashkëpunim i mirë edhe me disa gjimnaze të Kosovës me ato të Gjermanisë.

“Përveç këtij kampit ekziston një bashkëpunim i mirë edhe me disa gjimnaze të Kosovës, me disa gjimnaze në Gjermani. Këtë kontakt kanë mundësuar kjo organizatë gjermane, Educiton Unlimited. Gjimnazi në Drenas që nëntë vjet bashkëpunojnë me një gjimnaz në Gjermani. Po ashtu, janë dhe gjimnazi në Gjilan, një në Gjakovë, Fushë Kosovë, ku këta nxënës kanë qenë disa herë në Gjermani dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej, nuk do të përfundojë me këtë kampus veror që mbahet tani”, tha ajo

Ndërsa profesoresha e Universitetit të Prishtinës Remzie Shahini-Hoxhaj tregoi punën që do ta realizojë në këtë kamp. Ajo tha se do të mundohen t’i njoftojnë të rinjtë për përparësitë dhe mangësitë që mediat kanë sot në evoluimin teknologjik.

“Do ta mbaj modulin për mediat më konkretisht për edukimin medial, duke pasur parasysh që njëri ndër mediumet kryesore në komunikimit tonë është gjuha. Ne do të mundohemi t’i njoftojmë të rinjtë për përparësitë dhe mangësitë që mediat kanë sot në evoluimin teknologjik, ta njohim më mirë njëri-tjetrin në mënyrë që të komunikojmë më lehtë dhe të kontribuojmë në bashkëjetesën tonë në Evropën tonë të përbashkët”, tha ajo.

Të pranishëm në kamp përveç Kerstin Zielosko, Kryetare e organizatës gjermane, Education Unlimited, dhe Susanne Eisenmann ish-ministre e Arsimit nga Baden-Württemberg,  do të jenë edhe kryeministri  Albin Kurti, euro deputeti gjerman Rainer Wieland, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci dhe në pamundësi të prezencës fizike me një video mesazh e pranishme do të jetë komisionarja Evropiane Mariya Gabriel.

Po ashtu, ky kamp do të jetë mundësi e mirë edhe për nxënësit kosovarë, për t’i njohur kulturat tjera, aq më shumë kur dihet situata në vend, që nxënësit e Kosovës janë më të izoluar se sa nxënësit nga Evropa, dhe që nuk kanë mundësi të shkëmbimit.

Ky kamp është organizuar nga organizata gjermane Education Unlimited dhe do të mbahet në hapësirat e gjimnazit “Loyola” Prizren, i cili do të mbahet në gjuhen gjermane. Projekti mundësohet nga ndihma e Qeverisë së Kosovës dhe Ministria Federale Gjermane për Familje, të Moshuar, Gra dhe të Rinj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024