Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), duke vlerësuar se i gjithë procesi është komprometuar nga fillimi deri në fund.
Sipas ORCA-s, zhvillimet e fundit dhe informacionet e grumbulluara hedhin dyshime serioze mbi integritetin e vendimmarrjes në një institucion kyç për arsimin e lartë në vend, transmeton KosovaPress.
Sipas reagimit, shqetësimet janë shtuar edhe më tej pasi komisioni vlerësues është mbledhur më 20 prill 2026 dhe brenda 48 orëve ka përfunduar vlerësimin e të gjithë kandidatëve që kishin aplikuar. ORCA thotë se ky ritëm është i paprecedentë dhe ngre dyshime serioze për seriozitetin dhe thellësinë e vlerësimit.
ORCA pretendon se vlerësimi është bërë pa një metodologji të qartë dhe të standardizuar, duke reflektuar mospërputhje të mëdha në trajtimin e kandidatëve. Sipas saj, në disa raste kandidatët janë penalizuar për faktin se kanë fituar tituj akademikë në institucione private, ndërsa kandidatë të tjerë, pa tituj akademikë, janë vlerësuar më lart.Dyshime të tjera, sipas ORCA-s, lidhen edhe me trajtimin e raportit final të komisionit, i cili i është dërguar ministrit të linjës me emrat e rekomanduar për përzgjedhje në bord. Organizata thotë se nuk është e qartë nëse raporti është nënshkruar nga vetë anëtarët e komisionit apo nëse ata kanë nënshkruar vetëm një dokument përcjellës.
Më tej, ORCA pretendon se përfaqësues të ministrisë kanë marrë përsipër hartimin e raportit dhe dërgimin e tij në Qeveri në mënyrë urgjente, gjatë natës së 21 prillit 2026, rreth orës 23:00, me qëllim përshpejtimin e procedimit në komisionet parlamentare dhe më pas në Kuvend.
“Nëse ky proces vazhdon në këtë formë, ekziston rreziku real që të vihet në pikëpyetje kredibiliteti ndërkombëtar i AKA-së dhe, rrjedhimisht, njohja e diplomave dhe cilësia e arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në reagim.