Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav vizitoi të enjten Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë - sallën 1 Tetori, ku po numërohen votat e kandidatëve për deputetë.
“Vizitova sot Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku është duke vazhduar procesi i numërimit”, shkroi Orav në X.
Visited today the Municipal Counting Center in Pristina, where the counting process is ongoing. pic.twitter.com/DypAi1qZii
— Aivo Orav (@AivoOrav)
Sot është dita e tretë prej kur ka nisur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, në Obiliq, në Lipjan dhe Partesh.
Këto ditë janë karakterizuar me telashe teknike, derisa sistemi ka rënë disa herë në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë. Kjo ka bërë që të ripërsëritet numërimi.Procesi i numërimit gjatë këtyre ditëve ka filluar me vonesë për shkak të telasheve teknike.
Përveç komisionerëve dhe vëzhguesve të subjekteve politike, të pranishëm në këtë qendër janë edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian.
Të mërkurën, procesi i numërimit ka filluar në Qendrat Komunale në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut dhe Veriut, Skenderaj, Shtërpc, Viti, Vranidoll, Kllokot dhe Han të Elezit.