Përfaqësuesja A e femrave është në fazën e përgatitjeve për ndeshjet në kuadër të FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla që do të mbahet në Qipro nga 28 qershori deri më 3 korrik.
Rreth pritshmërive ka folur kapitenia e Përfaqësueses Arbnore Përquku. “Vitin e kaluar kemi zënë vendin e tretë, kurse këtë vit presim që të dalim kampion përballë përfaqësueseve që marrin pjesë” ka thënë Përquku për faqen zyrtare të FBK-së.
Edhe basketbollistja e talentuar Astera Tuhina, është shprehur optimiste për garat në Qipro.
“Shpresojmë që ta përfundojmë Kampionatin si kampione, nuk është shumë e vështirë për ta arritur, por duhet shumë punë, do të japim maksimumin që të paraqitemi sa më mirë” ka thënë Tuhina për faqen e FBK-së.
Kosova aventurën në Nicosia të Qipros e fillon më 28 qershor në ndeshjen me Maltën.