Opozitari serb thotë se Aleksandar Vuçiq është një gur në qafën e Serbisë
Lexohet për: 3 min.
Videnoviq
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Nënkryetari i partisë opozitare serbe Glas (Zëri) Ivan Videnoviq, ka deklaruar se të gjitha shpresat e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq janë të drejtuara kah shkatërrimi e kaosi në Evropë që mund të krijohet nga rizgjedhja e Donald Trump në SHBA, dhe dobësimit të unitetit të NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.

Profesori në Universitetin e Beogradit në një intervistë për gazetën e Malit të Zi “Pobjeda”, tha se Vuçiq është një sundues autokratik, i cili njëherësh po e shtyp edhe lirinë e medias.

Ai thotë se Komiteti Evropian i Bundestagut gjerman ka ardhur në përfundim se “ngjarjet në Serbi, pas zgjedhjeve të dhjetorit 2023 po shkojnë në drejtim të gabuar” dhe se zgjedhjet në Beograd duhet të përsëriten, porse Vuçiq nuk do të pranojë.

Sipas tij, Perëndimi nuk është i interesuar për gjendjen e demokracisë në Serbi, pasi qytetarët e saj kanë hequr dorë nga dëshira që t'i takojnë familjes evropiane dhe kombeve të lira.

“Vuçiq nuk është i izoluar vetëm për shkak të këtyre zgjedhjeve. Ai ka qenë i izoluar për një kohë të gjatë për shkak të qëndrimit të tij tradhtar ndaj Evropës, i ekspozuar ndaj agresionit të hapur të Putin, si dhe për shkak të qëndrimit të tij nënçmues ndaj Rusisë, sidomos për shkak të sulmit terrorist në Banjskë”, pohon Videnoviq.

Sipas tij, Vuçiq është një gur në qafën e Serbisë dhe të gjitha shpresat e tij tani janë të drejtuara drejt shkatërrimit total, kaosit të madh në Evropë që mund të lindë nga rizgjedhja e Trump në SHBA dhe dobësimit efektiv të unitetit të NATO-s, SHBA-së dhe BE-së për Ukrainën.

“Në rast të fitores së Trump dhe ndërprerjes së ndihmës amerikane, do të ketë një fund të luftës pa dëbuar Rusinë nga të gjitha territoret e okupuara të Ukrainës, që është skenari i dëshiruar për Putin. Rusia, në botën që ndan me Trumpin, do të arrinte statusin e dëshiruar shumëpolar dhe do të rikthehej në skenën ndërkombëtare, një pozicion që në fakt e humbi në mënyrë të paplanifikuar në vitin 2022 dhe në të cilin dëshiron dëshpërimisht të kthehet. Me këtë kthim, Rusia do të kishte kohë për të riorganizuar dhe rigjallëruar forcat e saj ushtarake, si dhe për të forcuar ndikimin e saj në sferën e ndikimit politik në Evropën Lindore, të cilën Trump do t'ia linte asaj, e cila sigurisht përfshin Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kosova dhe Shqipëria do të mbeten një qendër e fortë e ndikimit amerikan”, pohon Videnoviq.

Ai ka folur edhe rreth arrestimit të opozitarit tjetër serb Nikolla Sanduloviq dhe ndalimit të avokatit Çedomir Stojkoviq në kufi për vendosjen e luleve në varrin e Blerina Jasharit në Prekaz. Sipas tij, një gjë e tillë është dëshmi se Vuçiq nuk ka përgjigje të arsyeshme ndaj këtij lloj kundërshtimi ndaj politikës së tij të urrejtjes.

“Turpi më i madh i tyre është heshtja e fundit e dukshme dhe injorimi i faktit që prokurori serb kërkoi dhe gjyqtari serb vendosi që një shtetasi serb të caktohet në paraburgim 30-ditor për vendosjen e luleve mbi varrin e një fëmije 7-vjeçar shqiptar të vrarë në 1998 në Kosovë”, tha Videnoviq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024