Pas kritikave të opozitës, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shtyrë për një mbledhje tjetër votimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për propozimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Në këtë komision, janë diskutuar edhe rëniet e kthimit në investime në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Trusti nuk ka rikuperuar ende rëniet prej 161 milionë euro në periudhën janar-gusht. Drejtues të këtij institucioni, gjatë raportimit kanë thënë se ky vit është tepër sfidues për ta.
Deputeti nga LDK-ja Avdullah Hoti ka thënë se kryesuesi i propozuar, është person jo i duhur.
Ish-kryeministri Hoti tha se kauzat e Isufit kanë qenë politike që kanë dëmtuar këtë shoqëri dhe ka ndikuar që të shtyhet procesi i liberalizmit të vizave për 6 vjet.
Të njëjtat kritika dhe vërejtje sikur Hoti pati edhe nënkryetari i Komisionit nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku.
“Ne duhet të kemi një bord që është kredibil jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar, sepse e dimë mirë rëndësinë e regjistrimit të popullsisë. Prandaj, nuk do të marrim pjesë në këtë proces të votimit”, tha ai.
“Sa i përket vendimit të qeverisë, është e drejtë e tyre, por është e drejtë edhe këtij Komisioni që të ftojë përfaqësuesit e qeverisë dhe ta argumentojnë këtë vendim. Atë që e tha edhe ish-kryeministri Hoti, Dea Pallaska, të cilën nuk e njoh personalisht, por që përfaqëson organizatat ndërkombëtare. Ne nuk e dimë kush është ky personalitet dhe cilën organizatë e përfaqëson”, tha Lekaj.
Deputeti nga Vetëvendosje Eman Rrahmani tha se lakimi i emrit të profesorit Florim Isufi nga deputetët e opozitës është i pa drejtë.
Në mbrojte profesorit Isufi i doli, edhe kryetari i Komisionit, Armend Muja, i cili tha se mund të jetë edhe këshilltar i kryeministrit.
“Florim Isufi është profesor doktor i fushës. Mund të jetë këshilltar politik. Është një ndër ekspretët më të mirë të fushës”, tha Muja.
Në mbledhjen e sotme gjatë shqyrtimit të raportit vjetor për vitin 2021 të Trustit, deputeti i PDK-së Ferat Shala ka kërkuar llogaridhënie nga udhëheqësia e këtij institucioni për humbjet e kursimeve në Trust.
“Ku është fondi i Trustit në tregun e brendshëm? Ne kemi nevojë t’i shfrytëzojmë resurset duke i ngritur kapacitetet e brendshme që do të kishte më shumë siguri. Ndërsa, kur i shohim në total, kemi investuar në shumë kontinente dhe shtete 77 për qind të aksioneve. Pastaj, kisha pasur dëshirë me ditë sa kemi humbur në vitin e fundit aksione, ose sa milionë euro ka humbur fondi për shkak të krizës së investimeve jashtë vendit”, tha Shala.
“E para, nuk ka humbje. Është mirë ta sqarojmë këtë termë. Në këtë kohë është një lëvizje e vazhdueshme që ndodh në vlerën e aksioneve, ai ndryshon çdo ditë është një çmim ndryshe. Për humbje mund të flasim vetëm atëherë kur ai aksion shitet-realizohet. Për momentin kemi lëvizje të ndryshme të çmimit të njësisë. P.sh, vitin 2021 kemi pasur plus 227 milionë euro kthim pozitiv, ndërsa këtë vit mund të kemi një performancë tjetër, ta shohim se si do të mbyllet viti... Ky vit nuk është sfidues vetëm për neve, është besoj për të gjithë botën. Ne jemi duke u munduar të reagojmë drejt dhe arsyeshëm. Po, aktualisht ka një rënie të vlerës së çmimit të njësisë, janë pak e shumë ato që janë raportuar në media. Është tejet relative, ka qenë 5-6 për qind, kështu që ndryshon çdo ditë”, tha Morina.
Ndërkaq, anëtari i Bordit të Trustit, Driton Qehaja theksoi se për ta ulur rrezikun në tregjet ndërkombëtare, kanë tërhequr nga rreziku 500 milionë euro.
Deputeti Avdullah Hoti theksoi se është mirë që ka pasur kthim pozitiv gjatë viti 2021, por kjo sipas tij nuk e kompenson as inflacionin e sivjetshëm. Për këtë, ai kërkon më shumë politika të kujdsshme nga Trusti.
“Inflacionit s’mund t’i ikim, për çdo lloj investimi i kemi pasojat e inflacioni. Është mirë që në vitin e kaluar ka pasur një kthim pozitiv prej 10.65 për qind, por gati kjo nuk kompenson as inflacionin e këtij viti. Kjo është një bazë për politika më të kujdesshme”, u shpreh Hoti.
Pas shqyrtimit, komisioni unanimisht votoi pro Raportit Vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2021./I. Shabani/