Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 29.6 për qind në muajin janar 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 414.1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 319.6 milionë euro në vitin 2024.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti në këtë periudhë mbulon importin me vetëm 12.6 për qind.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 24,2 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14,1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 14 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 11. 5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, ndërsa 6.6 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili, etj.
“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit, 20,4% e përbëjnë produktet minerale, 14,1% e përbëjnë mjetet e transportit, 10,2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9,6% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 8,5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj”, njofton ASK.“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania me 12,8%, Italia me 4 për qind, Holanda me 3,9%, etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 204,5 milionë euro, ose 43,2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 24,4%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania me 14,1%, Italia me 6,1%, Greqia me4,5%, etj”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 24,1 milionë euro, ose 40,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10,8%. Sipas ASK-së, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Maqedonia e Veriut me 15,5%, Shqipëria me 14,5%, Serbia me 4,5%, Mali i Zi me 4,4%.
“Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 185,7 milionë euro, ose 39,2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia me 12,9% dhe Kina me 12,1%”, thuhet në raport, përcjell KosovaPress.