Deputetët e tri partive opozitare në Kuvend kanë dalë me qëndrime të kundërta për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë shprehur kundër votimit të këtyre marrëveshjeve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do të votojë pro.
Deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka thënë se kjo parti do të mbështesë marrëveshjet ndërkombëtare nëse ka kuorum. Por i të njëjtit mendim nuk janë dy partitë tjera opozitare. Armend Zemaj nga LDK-ja paralajmëroi se nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje e cila mund të jetë kamuflim i paaftësisë dhe mbulim i keqmenaxhimit të qeverisë në pushtet, por ai theksoi që marrëveshjet e mira do të jenë gjithmonë në përkrahje të tyre. Mendim të ngjashëm por më të ashpër pati edhe Blerta Deliu-Kodra, e cila në mënyrë kategorike theksoi se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje derisa Kosova gjendet në sanksione të BE-së, duke shtuar se PDK kërkon zgjedhje dhe deri atëherë nuk do të votojë asgjë.