Opozita kritikon Qeverinë për mosemërim të Bordit, nga Trusti flasin për pasojat
Lexohet për: 3 min.
Mimoza Trust
1 vit më parë
Linku u kopjua

Partitë opozitare në vend ditët e fundit kanë ngritur shqetësime se mosemërimi i Bordit të ri në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës po rrezikon kursimet e qytetarëve. Por, mazhoranca këto deklarata po i quan spekulime me tendencë që të ngjallin panik tek qytetarët.

E në një përgjigje për KosovaPress nga Fondi i Kurimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) deklarojnë se mjetet e FKPK-së si tërësi nuk janë të rrezikuara, por ritheksojnë se institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala e ka quajtur papërgjegjësi totale të Qeverisë së Kosovës mos vendosjen me kohë për Bordin menaxhues të trustit.

Shala thekson se rënia e aksioneve është shqetësues ndërsa po mungojnë veprimet nga ana institucionale.

“Neglizhenca dhe papërgjegjësia totale e institucioneve të shtetit dhe Qeverisë për mos vendosjen me kohë të Bordit menaxhues të Trustit na shqetëson në shkallën më të lartë të mundshme, sepse ne e mbyllëm vitin 2022 me humbje prej 118 milionë euro në Trust. Ndërsa, ky trend i humbjeve është jashtëzakonisht shqetësues edhe në këtë vit dhe statistikat e fundit tregojnë se vetëm në këtë muaj kemi humbje rreth 60 milionë euro. Pra, këto humbje permanente duke u përcjell edhe me rënien e aksioneve në bursat ndërkombëtare sot aksionet nga 1.63 kanë rënë në 1.60 që do të thotë trendi i rënies së aksioneve  i humbjes së mjeteve të kontribuuesve të Kosovës është jashtëzakonisht shqetësues dhe nuk kemi asnjë veprim konkret të institucioneve”, u shpreh ai.

Sipas Shalës, i cili është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi mjetet e trustit janë pa menaxhim dhe nën mëshirë të fatit.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila deklaratat se skadimi i afatit të Bordit të Trustit ndikon në performancën e kursimeve i quan spekulative me tendencë të shkaktojnë panik tek qytetarët.

Ajo thotë se e Ligji për kursimet pensionale e parasheh që në rastet kur nuk zgjidhet bordi i ri, bordi ekzistues ka mandat për 90 ditë.

Ndërsa, për rrezikun e investimeve, Kusari-Lila theksoi se ato janë të investuara në tregjet financiare afatgjate, dhe si të tilla janë të sigurta.

E gjatë ditës përmes një përgjigje me shkrim nga Fondi i Kursimeve Pensionale kanë deklaruar se nuk mund të thuhet se mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara.

Por, theksuan për gjendjen e vështirë të këtij institucioni pasi në fund të muajit shkurt i ka skaduar mandati Bordit menaxhues.

Për më tepër, Trusti bën të ditur se për shkak të situatës së krijuar në tregjet financiare prej 10 marsit 2022 e deri më 17 mars 2023, ku disa banka të rëndësishme për ekonominë globale shfaqen vështirësi financiare duke afektuar tregjet globale, investimet e FKPK-së të Portofolit Standard po ashtu janë përballuar me luhatje të forta.

Në fund të muajit shkurt u ka skaduar mandati anëtarëve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024