Opozita kritikon pushtetin për bojkotimin e seancës së jashtëzakonshme për Policinë
Lexohet për: 4 min.
kuvendi-tootal
1 vit më parë
Linku u kopjua

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar mazhorancën dhe qeverinë për mospjesëmarrjen në seancën e jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës. Sipas tyre, kjo sjellje e pushtetit është e papranueshme dhe ikje nga përgjegjësia.

Opozitarët me të marrë vesh për bojkotimin e pushtetit të seancës ndërmorën një aksion simbolik duke vendosur në ulëset e kabinetit qeveritar por edhe të deputetëve një fletë me mbishkrimin “E harruat policinë”.

Megjithëse nuk pati kushte për fillimin e seancës, kryetari i Kuvendit ia dha fjalën shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri tha se opozitarët nuk do tërhiqen nga kërkesat për mbështetjen e Policisë së Kosovës, teksa i përmendi Konjufcës nevojën që në seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita të mos jetë e nevojshme pjesëmarrja e 61 deputetëve për të nisur të njëjtën.

Sipas tij një gjë të tillë e thotë edhe Komentari i Gjykatës Kushtetuese, i hartuar nga profesori Enver Hasani.

Për këtë çështje kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u shpreh i hapur të diskutojë në kryesi të legjislativit.

Kritik ndaj pushtetit u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili tha sjellja e deputetëve të mazhorancës është për turp.

Ai shtoi se do të angazhohen që në kuadër të rezolutës së propozuar nga PDK-ja të bëhet edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Policinë e Kosovës.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se ekzekutivi po e harron Policinë e Kosovës në momentin më të vështirë të tyre.

Në anën tjetër, pjesë e seancës së jashtëzakonshme ishin deputetët nga grupi parlamentar multietnik.

Shefi i grupit, Enis Kervan, kërkoi nga deputetët opozitarë që mos të politizojnë kërkesat e Policisë së Kosovës.

Fjalën e mori edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që të lirojë sallën plenare ose t’i bëjë thirrje deputetëve të partisë së tij që të përkrahin kërkesat e policisë.

Me këtë kërkesë u pajtua kryeparlamentari Konjufca, i cili lëshoi sallën plenare derisa bëri thirrje që të njëjtën ta udhëheqë nënkryetari i PDK-së ose i LDK-së.

Pavarësisht kësaj deputetët opozitarë nuk pranuan të vazhdojnë diskutimet në seancën e sotme.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Rezoluta e PDK-së për mbështetje ndaj Policisë së Kosovës:

OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit prej 15 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyre retroaktive nga dita e hyrjes ne fuqi të Ligjit 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (për secilin muai).

-OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozojë buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë te Republikës se Kosovës, nga data 1 janar 2024.-

OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm te zyrtarëve policorë të Policisë se Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit.

-ZOTOHET që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta bëjë në procedurë te përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024