Partitë opozitare në Kuvend kanë kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për mungesë të llogaridhënies ndaj legjislativit. Pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane në mungesë të kuorumit, ku nuk u pa i pranishëm as Bislimi, opozita e kritikoi atë për politika të gabuara në raport me integrimet evropiane dhe dialogun me Serbinë, ku sipas tyre, Kosovës i kanë sjell vetëm sanksione dhe izolim.
Pas dështimit të mbledhjes, anëtarët e këtij komisioni nga opozita u paraqitën para mediave, ku adresuan një varg akuzash ndaj pushtetit.
Kritike ndaj Bislimit u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Sipas saj, numri dy i Qeverisë duhet të raportojë para Kuvendit në lidhje me masat e BE-së ndaj Kosovës dhe takimet e fundit në raport me dialogun me Serbinë.
Ajo e nënvizoi nevojën që sa më shpejtë Bislimi dhe Kurti të raportojnë në Kuvend në lidhje me zhvillimet e fundit në dialog dhe planin për depërshkallëzim të situatës.
Tri partitë opozitare e lanë të hapur mundësinë që Bislimin ta thërrasin edhe në interpelancë në Kuvend, për të raportuar për masat e BE-së dhe zhvillimet e fundit në dialog.