Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin për sulmet që po ju bëhen kompanive vendore që merren me ambalazhimin dhe shitjen e ujit dhe kërkon që situata të sqarohet nga organet kompetente dhe të mos dëmtohen bizneset me pretendimin se këto kanë bërë shkelje ligjore dhe nuk kanë paguar taksat gjegjëse.
Në njoftim thuhet se Oda Ekonomike e Kosovës e vlerëson përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së taksës së ujit, por njëkohësisht bën thirrje që kjo të bëhet ashtu që të mbrohet ky sektor i prodhimit vendor, si dhe interesat e përgjithshme të bizneseve kosovare.
Si institucion në shërbim të sektorit privat në Kosovë, OEK inkurajon dialogun ndërmjet sektorit publik dhe privat. “Në këtë rast, kërkojmë të bëhen të qarta çështjet dhe informacionet për shumën e borxhit të pretenduar si dhe pasqyrimin e situatës reale, por edhe mbrojtjen e bizneseve nga dëmtime“, apelon OEK”, thuhet në komunikatë.