Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon urgjentisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të rishqyrtojë masat që kufizojnë importet nga Serbia, e të cilat pengojnë interesat komerciale ndërkombëtare, përmes kufizimit të qarkullimit të mallrave nga markat e njohura botërore.
Në reagimin e OEAK-s thuhet se sipas të dhënave zyrtare të shqyrtuara nga Oda Amerikane, importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39 për qind krahasuar me vitin 2022, duke theksuar ndikimin e konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë mbi ndërmarrjet ndërkombëtare.
Sipas Odë Amerikane të dhënat zbulojnë një realitet të zymtë; importet e lidhura me kompanitë amerikane po pakësohen me një ritëm alarmues.
“Për më tepër, çdo pengesë për tregtinë, si ky ndalim, ka ndikuar pashmangshëm në rritjen e çmimeve të konsumit, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve të Kosovës. Aq më tepër, në rrethana kur Kosova tashmë ka hequr ndalesën për importin e lëndëve të para dhe produkteve gjysmëfinale nga Serbia, është e pakuptimtë dhe ironike që të mbahet në fuqi masa e cila ndalon importin e malrrave që përbëjnë interesa komerciale ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht kryesor për integrimin euroatlantik të Kosovës. Masat aktuale, për fat të keq, janë në kundërshtim me thirrjet e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët bëjnë thirrje për marrëdhënie harmonike rajonale. Prandaj, Oda Amerikane thekson se normalizimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i kapërcen interesat bilaterale. Është një strategji thelbësore për çimentimin e stabilitetit rajonal dhe për të çuar përpara ambiciet e integrimit evropian”, thuhet në reagim.
Më tej thuhet se duke qenë vazhdimisht avokuese për politika të hapura dhe të balancuara tregtare, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon veprime të shpejta dhe vendimtare që do të mbështesin rritjen ekonomike, prosperitetin dhe harmoninë rajonale.