Oda Ekonomike Britanike në Kosovë ka ngritur shqetësime serioze lidhur me gjendjen në sektorin e minierave, duke kërkuar masa urgjente për rikthimin e funksionalitetit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Sipas odës, që nga viti 2020 KPMM është përballur me probleme të vazhdueshme operacionale, ndërsa vonesat në trajtimin e licencave kanë dëmtuar rëndë industrinë minerare dhe interesimin e investitorëve të huaj. Nga 316 aplikime të dorëzuara, vetëm 60 licenca janë lëshuar nga bordi i fundit, me kohë pritjeje që kanë arritur deri në 50 muaj, ndonëse afati ligjor është maksimumi pesë muaj.
Komunikata e plotë:
Masat Urgjente të Nevojshme në Sektorin e Minierave në Kosovë
Që nga viti 2020, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka hasur në vështirësi të vazhdueshme operacionale, sa me Bord të Drejtorëve po aq edhe pa të, duke qenë shpesh jofunksional, gjë që ka krijuar sfida serioze për industrinë minerare dhe ka penguar funksionimin normal të sektorit minerar dhe të gjitha kompanive të përfshira në këtë sektor. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe është dëmtuar reputacioni i KPMM-së si një nga institucionet më kredibile në vend, gjë që ka ndikuar negativisht edhe në interesimin e kompanive ndërkombëtare për investime në Kosovë.
Bordi i KPMM-së në përbërjen e fundit, i emëruar në maj 2024, ka lëshuar vetëm 60 licenca nga 316 aplikime të dorëzuara, që do të thotë se më pak se 20% të aplikacioneve janë trajtuar, dhe të gjitha licencat e miratuara kanë qenë për resurse jo-metalore, duke përjashtuar aplikimet e lidhura me Trepçën. Për më tepër, koha e pritjes për vendime ka arritur deri në 50 muaj, pavarësisht afatit ligjor të paraparë prej tre muaj, me mundësi shtesë prej dy muaj në raste të veçanta kur kërkohen informacione shtesë, maksimumi pesë muaj gjithsejtë.
Për më tepër, KPMM nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që nga viti 2020!
Gjithashtu është evidentuar një trajtim jo i barabartë i kompanive private kundrejt atyre shtetërore si Trepça apo KEK-u. Duhet theksuar se Ligji duhet t’i trajtoj njëjtë të gjitha palët pavarësisht pronësisë së tyre.
Kosova dikur njihej për legjislacionin më të avancuar minerar në Evropë, të bazuar në praktikat më të mira të Australisë, duke përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”, i ashtuquajturi “e drejta e të parit”. Megjithatë, moszbatimi i sundimit të ligjit, veçanërisht kur institucionet nuk respektojnë ligjet e tyre, si periudha e shqyrtimit 3+2 muaj, ka çuar në rënie të kredibilitetit institucional. Si pasojë, interesi i investitorëve zvogëlohet, pasi kompanitë zgjedhin vende të tjera për eksplorim. Edhe pse Kosova mbetet territor shumë atraktiv për eksplorime minerare, rrezikon të mbetet pa investitorë ndërkombëtarë dhe pa zhvillim serioz në sektorin e hulumtimeve minerale.
Kjo nuk është mënyra se si mund të tërhiqen investitorët e huaj, veçanërisht duke pasur parasysh se statistikat tregojnë se vetëm 0.01% e projekteve të hulumtimeve përfundojnë si miniera operative, zakonisht pas 15 deri 30 vitesh të punës intensive. Kjo dëshmon se investitorët seriozë kërkojnë stabilitet afatgjatë juridik dhe institucional.
Sinqerisht,
--
CEO