Në prag të ndeshjes mes Kosovës dhe Izraelit, e cila do të zhvillohet më 12 nëntor, Instituti “Octopus” ka apeluar tifozët që të tregojnë qëndrim dinjitoz dhe të paanshëm politikisht, pas luftës në Gaza.
Përmes një shkrimi në Facebook, “Octopus” thekson se në këtë ngjarje konteksti rajonal politik ka po ashtu rëndësi të madhe, dhe se nuk duhet ta nënvlerësohet interesi i madh të Serbisë që ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit të përfshihet nga thirrjet me karakter thellimin e urrejtjes. Sipas Institutit, një gjë e tillë do të çonte në dështimin e pashmangshëm të seriozitetit të organizimit dhe të dëmtimit të pariparueshëm të imazhit të Kosovës në botë.
Ndeshja Kosovë – Izrael në prizmin e diplomacisë publike dhe sigurisë
UEFA më herët njoftoi se ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, fillimisht e paraparë të mbahet me 15 tetor, tani do të luhet me 12 nëntor. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për kualifikimet në EURO 2024, në kuadër të grupit I.
Përveç që e zbehin madhështinë dhe bukurinë e ngjarjes sportive, këto skena krijojnë pasoja edhe në imazhin e vendit, dhe lëkundin kredibilitetin e organizatorit se mund të ofrojë ambient të këndshëm sportiv dhe të ngritet në nivelin e nikoqirit serioz të këtyre ndeshjeve me rëndësi ndërkombëtare.
Duke marrë në konsideratë ngjarjet e 7 tetorit në Izrael, ndeshja futbollistike mes Kosovës dhe Izraelit tanimë e ka edhe një dimension të padiskutueshëm diplomatik, ku përveç organizimit sportiv e logjistik, edhe qëndrimi dinjitoz dhe i paanshëm politikisht i tifozërisë kosovare do të ishte një shenjë maturie dhe vetëdije të lartë politike dhe qytetare.
Diplomacia si kocept modern ka tani më karakter shumë më të gjerë se pikëpamjet e ngushta fillestare për të, dhe diplomacia publike, ku ngjarjet e rëndësishme të futbollit janë në qendër të saj, luajnë një rol të padiskutueshëm në avancimin e pozitës dhe imazhit të vendit në botë. Në këtë logjikë, kjo është një mundësi e mirë për të kontribouar në përmirësimin e imazhit tonë në arenën ndërkombëtare, duke shfaqur vlerat tona karakteristike, si mikpritja dhe respkti.
Në këtë ngjarje konteksti rajonal politik ka po ashtu rëndësi të madhe, dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë interesin e madh të Serbisë që ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit të përfshihet nga thirrjet me karakter thellimin e urrejtjes, çka do të çonte në dështimin e pashmangshëm të seriozitetit të organizimit dhe të dëmtimit të pariparueshëm të imazhit të Kosovës në botë. Prandaj tifozëria kosovare nuk duhet të bie ne provokime nga infiltrime potenciale të elementëve të dyshimtë me qëllime për ta dëmtuar Kosovën. Serbia punon me kapacitet të plotë për dëmtimin dhe sabotimin e shtetit të Kosovës, dhe ngjarja e 12 nëntorit nuk bën aspak përjashtim.
Pozicionimi publik i kujtdo për luftën në Gaza, nuk e ka asnjë peshë për ngjarjet atje, as për viktimat e cilësdo palë e as për agresorët e cilësdo palë. Së këndejmi, pozicionimi publik shërben vetëm për dëmtimin e interesit nacional në Kosovë, sepse ai do të përdoret pa përtesë nga kreatorët e luftës hibride serbo-ruse në dëm të vendit e popullit tonë.
Na bën të besojmë se, edhe organet tona të sigurisë kanë marrë hapat e duhur për t’i mos lënë hapësirë sabotatorëve armiqësorë shqiptarë për ta fabrikuar ndonjë incident. Askush më shumë sesa Serbia nuk është i interesuar për një gjë të tillë. Ndoshta, vetëm Rusia është më e interesuar për çfarëdo shkëndije zjarri.
Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë ngjarje për të përkrahur Kosovën në tribunat e stadiumit, por edhe për të manifestuar vetëdijen politike, duke dëshmuar qartë se dimë t’i shmangemi ndonjë rrëshqitje të panevojshme në tema potencialisht të dëmshme për vendin tonë, si në kuptimin diplomatik edhe në atë sportiv.