O’Brien: Serbia t’i mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e Banjskës
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, i ka kërkuar Kosovës ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa i bëri thirrje Serbisë t’i mbajë përgjegjës ata të cilët kishin gisht në sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Në një postim në rrjetin social X, O’Brien tha se nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
“Mirëpresim vizitat e Miroslav Lajçak me Albin Kurtin dhe Aleksandat Vuçiqin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin mbështetje të fortë dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Nevojitet zbatimi i plotë i marrëveshjeve, duke përfshirë Asociacionin. Zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të shkojnë përpara; koordinimi përpara zbatimit të rregulloreve të reja të monedhës. Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata që janë përfshirë në sulmin në Banjska”, ka shkruar ai.