O’Brien: Moszbatimi i marrëveshjeve mundësi e humbur për Kosovën e Serbinë
Lexohet për: 2 min.
obrine
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Jim O’Brien ka folur mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pas dështimit të organizimit të një takimi trepalësh në Bruksel.

Ai në një postim në X ka shkruar se takimi i djeshëm nënvizoi faktin se palët duhet të ripërkushtohen për të trajtuar problemet dhe për të ndjekur mundësitë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Moszbatimi i marrëveshjeve të kaluara është me të vërtetë një mundësi e humbur për të dyja palët”, ka shkruar O’Brien.

Ai ka shpërndarë deklaratën e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell.

“Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe Ana) Bërnabiq, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radojçiq dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, citoi Borrell kushtet e Kurtit i cili nga ana e tij tha se bëhet fjalë për “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.

Duke paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve në nivel kryenegociatorësh javën e ardhshme, Borrell tha se BE do të vazhdojë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndryshe, takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq është mbajtur në shtator 2023, pak ditë para sulmit terrorist në Banjska.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024