OAK rifillon aktivitetin “Kafja e mëngjesit” me bizneset
Lexohet për: 3 min.
oak-0
2 vite më parë
Linku u kopjua

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në vazhdën e aktiviteteve të saj të organizuara për bizneset anëtare, sot ka rifilluar aktivitetin “Kafja e mëngjesit me bizneset anëtare”, aktivitet i cili për shkak të pandemisë ishte pezulluar për një kohë.

Ky aktivitet është mbajtur në zyrën e Odës së Afarizmit të Kosovës, me ç’rast të pranishëm ishin biznese nga sektorët e ndryshëm të cilët operojnë në Komunën e Prishtinës.

Çështjet kryesore të cilat u diskutuan në kuadër të këtij aktiviteti me bizneset anëtare ishin ngritja e çmimeve dhe situata ekonomike në vend e krijuar kohëve të fundit, Ligji i punës, krijimi i zonave ekonomike, pasivizimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, kërkesat e parashtruara nga oda te institucionet si dhe aktivitetet e fundit të organizuara nga OAK.

Me këtë rast kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, falënderoi përfaqësuesit e bizneseve anëtare për prezencën duke paraqitur para tyre edhe rastet e fundit që oda ka deleguar dhe zgjidhur.

Në këtë takim morën pjesë si mysafirë nga GIZ-i Gjerman, Karen Konopka dhe Muhamed Bajrami.

Përgjatë këtij aktiviteti, bizneset shkëmbyen përvojat e tyre dhe paraqitën sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar kohët e fundit. OAK po ashtu ka njoftuar përfaqësuesit e bizneseve prezente për krijimin e një grupi punues nga OAK, përmes së cilit po mblidhen kërkesat e bizneseve të cilat lidhen me sektorin financiar dhe të përcillen te Ministria e Financave.

Melisa Sharku nga biznesi Vala Consulting si kryetare e këtij grupi punues, ka informuar bizneset lidhur me disa prej kërkesave siç janë: deklarimi i TVSH, Ligji mbi TVSH ku është kërkuar që TVSH të paguhet brenda vendit në inkasim dhe jo në faturim, duke inkurajuar kështu përfaqësuesit e bizneseve që të delegojnë problematikat e tyre tek Oda në mënyrë që të njëjta të përcillen tek institucioni përkatës.

Bekim Sinani nga biznesi Doni Fruits gjatë këtij takimi tha se vazhdojnë të kenë probleme tek importi për shkak të çmimeve preferenciale për pemë dhe perime për shkak të ndryshimit të udhëzimit administrativ dhe vendosjes së çmimeve preferenciale si dhe humbja në peshë te frutat dhe perimet.

Kurse Visar Kastrati nga kompanitë Maxi Supermarket dhe Fabrika e Duhanit në Gjilan, kanë mirëpritur propozimin e OAK-ut për heqjen e TVSH-së sa i përket produkteve esenciale duke shtuar që e njëjta të kërkohet edhe për naftën për shkak të krizës.

Në fund të takimit, OAK dhe bizneset u pajtuan që të ftohet kryetari i Komunës së Prishtinës për të diskutuar mbi sfidat dhe kërkesat e bizneseve në Komunën e Prishtinës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024