Diskutimi lidhur me inkurajimin e bizneseve për përfshirje në tregun e energjisë solare dhe krijimin e një bashkëpunimi mes bizneseve dhe KESCO me qëllim të blerjes së energjisë dhe jo kompensimi, ishin qëllimi i takimit mes Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me përfaqësuesit e ZRRE-së.
OAK theksoi që një nga kërkesat e bizneseve është që ZRRE të obligojë KESCO të blejë energjinë solare nga bizneset gjatë periudhës që ajo nuk shfrytëzohet apo është tepricë nga bizneset dhe qytetarët që kanë investuar në energji solare, në mënyrë që e njëjta të mos humbet.
Qindra qytetarë, fermerë dhe bujq kanë panele solare, KESCO i bën kompensimin mes prodhimit dhe harxhimit në muajt fiskal 1 janar - 31 dhjetor, në rast se fermerët, bizneset apo qytetarë harxhojnë më pak dhe prodhojnë më shumë, rryma konsiderohet e humbur dhe nuk paguhet apo kompensohet për vitin tjetër.
Gjatë takimit u theksua që ekziston një frikë për rritjen e çmimeve të energjisë nga ana e bizneseve, gjë që do të ndikonte në rritjen e kostos së prodhimit. Për këtë OAK kërkoi që të mos ketë rritja pasi ajo do t’i dëmtojë rëndë edhe bizneset siç është duke i dëmtuar qytetarët.
Ndryshe, OAK ka memorandum bashkëpunimi me ZRRE dhe takimi u zhvillua në frymën e këtij memorandumi.