Në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë sot është zhvilluar vaksinimi i nxënësve kundër HPV-së, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe ndërkombëtarë, të cilët theksuan rëndësinë e vaksinimit për shëndetin e vajzave dhe të rinjve.
“Në të gjitha shkollat, ky është viti i tretë faktikisht që ne e bëjmë vaksinimin në të gjitha shkollat, edhe është nivel 89% për disa nga vaksinat. E kemi pak një problem me vaksinën për fruth sepse për shkak të disa dezinformatave një numër i prindërve edhe kanë refuzu që fëmijët e tyre me marrë këtë vaksine. Mirëpo jemi në diskutim e sipër nëpërmjet institucioneve të ndryshme që me ju tregu që nuk ka asnjë ndërlidhshmëri në mes vaksinës së fruthit edhe problemet që mendojnë që shkaktohen si rezultat. Pra është me rëndësi shumë të madhe që të gjithë të rinjtë, pra të gjithë nxënësit t’i marrin këto vaksina të cilat sot u ofrohen këtyre fëmijëve në të gjitha shkollat, për arsye se e vetmja arsye dhe e vetmja po them është për me mbrojt shëndetin e fëmijëve tanë edhe për me i mbrojt edhe më të ardhmen prej sëmundjeve potenciale të tjera të cilat vijnë si rezultat i mosmarrjes së këtyre vaksinave”, tha kryetari Rama.
Se kjo vaksinë është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të vajzave, tha përfaqësuesja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.Ajo shtoi se UNICEF-i mbështet institucionet vendore në këtë proces dhe vlerësoi guximin e nxënësve që po vaksinohen.
Nga ana tjetër, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku theksoi rëndësinë e këtij procesi për brezat e rinj.