Nxënësit dhe prindërit e komunës së Pejës përmes një marshi protestues kanë kërkuar që greva në arsim të ndërpritet sa më shpejt, dhe qysh nga nesër nxënësit të kthehen në bankat shkollore.
Ky marsh i cili u organizua nga Këshilli i prindërve në Pejë u mbajt në qendër të këtij qyteti.
Arta Kollçaku -Gashi kryetare e Këshillit të Prindërve kërkoi që greva në arsim të ndërpritet dhe qysh nga dita e nesërme të filloj mësimi.
Sipas saj fushëbeteja është në mes të Qeverisë dhe SBASHK-ut.
Kollçaku-Gashi tha se marshe të tjera përmes të cilëve do të kundërshtojnë grevën nuk do të ketë.
Hazir Tigani kryetar i Këshillit të Prindërve të regjionit të rrafshit të Dukagjinit u shpreh se përmes këtij marshi po kërkojnë nga Qeveria dhe SBASHK-u që nxënësit t’i kthehen shkollës.
Video
“Sot me këtë ta quaj marsh besoj se ministrisë dhe SBASHK-ut i kemi dërguar një mesazh të qartë e ai është fëmijët duhet të jenë në shkolla fëmijët duhet t’i kthehen shkollës aty ku e kanë vendin. Ndërsa, mosmarrëveshjet dhe teket le t’i lënë për vete dhe le t’i hedhin anash dhe kjo të bëhet për të mirën e kësaj rinie përreth nesh, për të mirën e ardhmërisë sonë dhe për të mirën e nxënësve tanë….Fëmijët kanë mbetur të ngujuar, prindërit së bashku me ta kanë mbetur në një tunel ku nuk po vërehet asnjë dritë. Fëmijët e kanë të drejtën e vetë për shkollim, kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj e kush duhet ta zbatoj Kushtetutën dhe ligjet dihet qeveria është ajo që duhet t’i hap dyer SBASHK….Qysh nesër të hapen dyert për nxënësit tanë, qysh nesër sepse mendoj se edhe nesër është vonë që të ulen sot dhe t’i kryejnë mosmarrëveshjet sepse fundja jemi ne ata që jemi humbësit më të mëdhenj“, u shpreh ai.
Përfaqësuesit e BSPK-së gjatë javës së kaluar janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti po që nuk u arrit ndonjë dakordim që do të mund të sjell ndërprerjen e grevës. /B.Ibishi/