Edhe pas shpërndarjes së teksteve të reja shkollore në gjuhën boshnjake, mësimdhënësit e këtij komuniteti po hasin në vështirësi. Në fillim të këtij gjysmëvjetori pas botimit janë dhënë tekstet e kurrikulit të ri, por në shkollën “Lekë Dukagjini” në Prizren disa klasa po vijojnë mësimin me tekstet e vjetra. Mësimdhënësit thonë se kanë gjetur gabime në përkthim dhe se në gjuhën që mësojnë nuk posedojnë të gjithë librat e nevojshëm për një lëndë. Në Kosovë janë mbi 3100 nxënës që mësojnë në gjuhën boshnjake.
Nxënësit shqiptarë dhe boshnjakë po mësojnë në një shkollë të Prizrenit. Në shkollën fillore “Lekë Dukagjini” kanë mundësi të mësojnë fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën.
“Ne kemi tekstet bazë me të cilat punojmë, për shembull për gjuhën boshnjake kemi një tekst dhe kemi disa fletushka pune tani për klasën e dytë, por ne punojmë në kurrikulën e re dhe kemi ende librat me kurrikulën e vjetër, disa libra që i kemi marrë tash në fillim të gjysmëvjetorit të dytë, por megjithatë, ne tashmë kemi filluar të punojmë me planin tjetër, kështu që nuk mund t'i përdorim ato libra për këtë vit shkollor, kështu që vitin e ardhshëm, në dashtë Zoti, do t'i përdorim ato. Për sa i përket matematikës, ne kemi vetëm një tekst, një tekst bazë të matematikës, ndërsa mësimi në gjuhën shqipe, ata kanë fletë pune, teste, ndërsa ne nuk kemi, kemi vetëm një tekst, kështu që je gjindemi siç dimë ne mësuesit i gjejmë librat në Novi Pazar dhe Sarajevë.”, deklaron Dana.
Drejtoresha e shkollës fillore “Lekë Dukagjini”, Lendita Bllaca pohon se kanë probleme edhe me tekstet e reja që janë shpërndarë për nxënësit.
Në lidhje me pretendimet e mësimdhënësve për gabime në përkthim në gjuhën boshnjake, nga Ministria e Arsimit thonë se janë në fazën e pritjes së komenteve pasi librat janë shpërndarë së fundmi.
Udhëheqësja e Divizionit për Arsimin e Komuniteteve, Nazan Safqi thotë se janë të përkushtuar për arsim cilësor për gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që banorët e Kosovës të mësojnë edhe në gjuhën e tyre amtare.
Për përkthimin jo të drejtë të teksteve shkollore në gjuhën boshnjake ka njohuri edhe deputetja nga ky komunitet, Duda Balje. Ajo thotë se në vazhdimësi është duke u tentuar që të eliminohet ky problem.
Balje thotë se fëmijët boshnjakë duhet të mësojnë edhe gjuhën shqipe në mënyrë që të vazhdojnë shkollimin e lartë.
Sa i përket teksteve të cilat mungojnë në gjuhën boshnjake, Safqi deklaroi se Ministria e Arsimit shpall konkurs edhe për tekstet e lëndëve nacionale, për gjuhë turke dhe boshnjake në lëndët e gjuhë, historisë, artit muzikor dhe artit figurativ. Por, shtëpitë botuese nuk kanë pranuar t’i botojnë ato me arsyetimin që ka numër të vogël të teksteve.
“Gjatë konkurseve të fundit që ka shpallur ministria, kanë aplikuar autorët e këtyre komuniteteve, mirëpo sa i përket këtyre teksteve ende nuk kemi arritur t’i botojmë këto tekste. Sepse, shtëpitë botuese nuk kanë pranuar as t’i botojnë e as t’i kompensojnë autorët e këtyre komuniteteve. Për arsyeje të tirazhit të vogël të teksteve dhe të numrit të nxënësve që është numër më i vogël. Mirëpo, tani ne si ministri jemi duke bërë përpjekje dhe jemi duke punuar në këtë drejtim që të gjejmë mënyrën, zgjidhjen, formën se si do të mund t’i botojmë këto tekste dhe t’i kompensojmë këta autorë prej Ministrisë së Arsimit”, vijoi Safqi.
Shënim: Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit: -“Identifikimi I sfidave në procesin mësimor të fëmijëve të komuniteteve jo-shumicë si pasoj e Pandemisë COVID 19, I cili zbatohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim/CFID dhe I financuar nga: Agjencia Slovake për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar/ SlovakAid