Skenderaj ishte një nga komunat ku gara në zgjedhjet lokale ishte e fortë dhe shpesh me gjuhë të ashpër, por që u mbyll që në raundin e parë. PDK riktheu komunën që llogaritet si bastion i tyre me Fadil Nurën kryetar që fitoi ndaj ish-kryetarit Bekim Jashari. Kandidatura e Nurës u pa si kundër familjes Jashari, por që kryetari i ri i Skenderajt e mohon një gjë të tillë. Nura flet edhe për gjendjen në të cilën ka gjetur Komunën.
Në një intervistë për KosovaPress, Nura thotë se ata që mendojnë se kandidoi kundër familjes Jashari kanë koeficient inteligjence (IQ) të ulët, ndërsa shton se për të mirën e Skenderajt është i hapur për bashkëpunim edhe me ish-kryetarin Bekim Jashari.
Nura flet për gjendjen në të cilën e ka gjetur Komunën dhe për realizimin e objektivave.
“Jemi në proces të konsolidimit, të vlerësimit të gjendjes në të cilën e kemi marrë Komunën. Ka mungesë të stafit, ka probleme për vet faktin sepse çdo kryetar ose çdo menaxhment e ka sistemin e tij të punës. Prandaj edhe unë e kam sistemin tim të punës me të cilën unë mendoj që mundem të realizoj objektivat më shpejtë dhe më mirë, prandaj gati si çdo kryetar që nuk pajtohet me qeverisjen e kaluar, as unë nuk pajtohem për shumë gjëra që kam gjetur në Komunë, realisht. Por sido që të jetë jam i prirë të eci përpara dhe ti realizoj objektivat që i kemi”, ka thënë ai.
“Projektet që kanë të bëjnë me subqendrat e bashkësive lokale, pastaj në kuadër të planit urban të qytetit të Skenderajt, unazat të cilat janë aty ku i kemi lënë ne para katër vitesh dhe gjithashtu të ato që njihen si ofrime të shërbimeve që është arsimi, shëndetësia, kultura, rinia dhe sporti me të cilat ne kemi qartësisht të programuar se çka dhe si do ia bëjmë. Ajo që kam parë deri me tani në qeverisjen e kaluar shihet qartë ka pas një menaxhim të dobët të projekteve, sidomos kapitali për çka sot Komuna e Skenderajt ka çuar diku mbi gjysmë milioni euro suficit për shkak të menaxhimit të dobët të projekteve kapitale. Kjo do thosha ka qenë një veprim ose një qeverisje që tregon nivelin e performancës ”, u shpreh Nura.
Kryetari Nura tregon edhe për ndërtimin e shkollës për fëmijët me aftësi të kufizuar e cila është donacion.
Fadil Nura nga PDK-ja fitoi garën pa balotazh në komunën e Skenderajt, duke siguruar mbi 50% të votave.