Raportuesja speciale e OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut Mary Lawlor ka shprehur shqetësim mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi, pas veprimeve të dhunshme të autoriteteve në Beograd ndaj protestave të studentëve, por nuk ka pasur asnjë fjalë të vetme sa i përket gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Lawlor në një postim në platformën X u ka bërë thirrje autoriteteve në Beograd të ndalojnë dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve serbë.
Analistja Kaltrina Kamberi në rrjetin X ka pyetur raportuesen speciale të OKB-së për të drejtat e njeriut nëse ajo ndan të njëjtin shqetësim edhe për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit.
Shqiptarët nga Lugina e Preshevës vazhdimisht po diskriminohen dhe po u shkelen të drejtat nga Serbia. Ata vitin e kaluar kanë mbajtur disa protesta ku është kërkuar të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave, vende të punës dhe institucione të hapura për të gjithë.
Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë vitin e kaluar kanë shprehur shqetësimin për pasivitetin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.