Në mungesë të një baze të të dhënave në Kosovë nuk dihet numri i saktë i personave të prekur me sëmundjen e hemofilisë. Por, bazuar në të dhënat e Klinikës së Hematologjisë dhe asaj të Pediatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës thuhet se 97 pacientë vuajnë nga kjo sëmundje.
E në Ditën Botërore të Hemofilisë po kërkohet krijimi i një qendre të hemofilisë ku këta pacientë do të mund të marrin shërbimet mjekësore multidisiplinare.
Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit të Hemofilisë në Kosovë, Elmedina Kukaj u shpreh se në vendin tonë janë të identifikuar vetëm 51% të rasteve me hemofili.
Sipas saj, këta persona kanë nevojë për më shumë trajtim dhe gjithëpërfshirje.
Sipas Kukajt, meqenëse Kosova nuk ka një databazë të të dhënave nuk dihet numri i saktë i personave që vuajnë me hemofili.
Por, kërkesë kyçe mbetet krijimi i një qendre ku të prekurit me hemofili mund të marrin shërbime shëndetësore.
E në Klinikën e Pediatrisë pranë QKUK-së shprehen se nga sëmundja e Hemofilisë marrin trajtim mjekësor mbi 40 pacientë, dhe tash e disa muaj nuk kanë të shtrirë asnjë pacientë.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtoresha e Pediatrisë, Violeta Grajçevci e cila përmes telefonit për KosovaPress tha se lloji i hemofilisë më i shprehur në Kosovë është ai i tipit ‘A’ me gjithsej 29 raste.
E kostoja e terapisë që nevojitet për trajtim të hemofilikëve është e lartë, prandaj Ministria e Shëndetësisë e siguron një pjesë të faktorit mjekësor që nevojitet, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga Federata Botërore e Hemofilisë.
Sot në shënim të Ditës Botërore të Hemofilisë në shenjë ndërgjegjësimi në Prishtinë në Sahat kullë do të ndezën drita të kuqe.
Lloji më i zakonshëm është hemofilia ‘A’, ku personi nuk ka faktorë të mjaftueshëm të koagulimit VIII (FVIII).
Dita Botërore e Hemofilisë filloi të shënohet në vitin 1989 dhe shënohet çdo vit, në nder të ditëlindjes së Frank Schnabel, themeluesit të Federatës Botërore të Hemofilisë në vitin 1963./B.Ibishi/