Nora Arapi: Kemi nisur ndërhyrje emergjente në trashëgiminë kulturore
Kulturë
Lexohet për: 3 min.
arapi 061024
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Në përfundim të diskutimeve në panelin për arsim, rini, kulturë dhe sport, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, këshilltarja nga MKRS Nora Arapi ka thënë se trashëgimia kulturore është gjetur në gjendje “kome” jo nga pandemia por nga mungesa e investimeve dhe vëmendjes shtetërore.

Sipas Arapit, MKRS-ja menjëherë ka filluar me trajtimin e emergjencave duke zhvilluar ndërhyrje me karakter shpëtimi në dhjetëra monumente me qëllim të stabilizimit të vendit.

Ka pasur edhe zjarrvënie në mënyrë që të dëmtohen monumentet, por sipas saj edhe aty kanë dështuar.

“Trashëgiminë kulturore në fillim të mandatit tonë e kemi gjetur në gjendje kome, jo nga pandemia, por nga mungesa e investimeve dhe vëmendjes shtetërore. Menjëherë kemi filluar me trajtimin e emergjencave, duke zhvilluar ndërhyrje me karakter shpëtimi në dhjetëra monumente anekënd vendit, me qëllim të stabilizimit të vendit. Kur e panë seriozitetin e punës tonë, tentimi i fundit ishte edhe zjarrvënia, në mënyrë që të dëmtohen monumentet dhe asgjësohen, por edhe aty kanë dështuar pasi që kemi reaguar menjëhershëm dhe kemi bërë gjithçka që këto dëmtime të ndalen”, ka thënë Arapi.

Ndërsa, për ri-jetësimin e qytetit të Janjevës, Arapi ka shtuar se kanë ndërhyrë në 14 shtëpi, në infrastrukturë të rrugës, ujësjellësit dhe kanalizimit në mënyrë që këto monumente të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik.

“Krahas restaurimeve të 14 shtëpive kemi ndërhyrë në infrastrukturë të rrugës, ujësjellësit dhe kanalizimit dhe është bërë ngritja e kapaciteteve të komunitetit në Janjevë, në mënyrë që këto monumente të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik”, ka thënë ajo.

Ajo tha se për kryeqytetin janë hartuar plani i konservimit për qendrën historike, i cili pritet të miratohet në fund të vitit. Por, sipas Arapit puna më e madhe është master plani i kompleksit “Adem Jashari” në Prekaz.

“Për kryeqytetin tonë kemi hartuar planin e konservimit i cili i ka përcaktuar kufijtë e qendrës historike të Prishtinës dhe tregon rrugën se si duhet të vazhdojmë për të ruajtur, por gjithashtu për ta zhvilluar në mënyrë të balancuar kryeqytetin. Ky plan së shpejti del në diskutim publik dhe pritet të miratohet deri në fund të këtij viti. E kur jemi tek rezultate e arritura, në fushën e trashëgimisë kulturore, vend qendror zë procesi i hartimit të master planit për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz”, ka theksuar ajo.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024